Duke filluar nga viti i ardhshëm do të hyjnë në fuqi rregullat e reja për personat e vendeve të treta që duan të hyjnë në hapësirën e vendeve të Bashkimit Europian. Kjo do të thotë se këtyre rregullave do të duhet t’i nënshtrohen edhe të gjithë shtetasit shqiptarë.
Sipas këtyre rregullave, të gjithë shqiptarët që do të duan të udhëtojnë në një nga vendet e BE-së dhe të zonës Schengen do të duhet që më parë të plotësojnë online një aplikim prej 7 eurosh.
I quajtur “Sistemi Europian i Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit”, shkurt ETIAS me këtë rregull të ri BE synon që të rrisë sigurinë dhe të ndihmojë në parandalimin e rreziqet e kërcënimet që mund të lindin që nga terrorizmi, deri te sëmundjet infektive.
Ky rregull vlen për të gjithë ata që nuk janë rezidentë në një vend të BE-së, ose që kanë nevojë për një vizë për të qëndruar në hapësirën e unionit në rastet kur kërkohet më shumë se 90 ditë.
Kjo do të thotë se turistët, pronarët e shtëpive të dyta, punëtorët e përkohshëm, ose ata që vizitojnë familjen, ose miqtë në 26 vendet e zonës Shengen duhet të kenë parasysh që duke filluar nga 2022 të plotësojnë këtë formular para se të ndërmarrin udhëtimin.
Programi i ri ETIAS është i ngjashëm me programet ETA të Australisë dhe ESTA të SHBA dhe që të dyja të përdorura për qëndrimet afatshkurtra.
Komisioni Europian thotë se kjo do të ketë “efekt minimal” tek njerëzit që udhëtojnë në Europë.
Udhëtarët e kualifikuar do të duhet të plotësojnë një aplikim online përpara se të mbërrijnë, i cili kushton 7 euro, ose është falas për moshat nën 18 dhe mbi 70 vjeç.
Duhet vetëm disa minuta për të plotësuar formularin, që do të kërkojë informacione biometrike të pasaportës dhe detaje të udhëtimit, si dhe disa pyetje themelore të sigurisë. Por udhëtarët këshillohen të aplikojnë të paktën 72 orë përpara se të udhëtojnë.
Pasi aplikimi juaj të jetë miratuar, ai zgjat për tre vjet dhe ky është një lajm i mirë për udhëtarët e shpeshtë, edhe pse më pas duhet të rinovohet.
Sipas të ashtuquajturit “rregulli 90 ditë”, qytetarët e këtyre dhe shumë vendeve të tjera lejohen të kalojnë vetëm deri në 90 ditë, në çdo 180 në BE. Më gjatë dhe ata kanë nevojë për vizë.
Kjo nuk po ndryshon rrënjësisht, pasi njerëzit kanë ende të drejtë të kalojnë kaq shumë kohë brenda BE-së, por procesi nuk do të jetë më plotësisht pa administrim./m.j