Foto: Medi Koxhaj
Nga Artan Kristo/
“Mos u çudisni nëqoftëse, kur të vdes, rrugës për në varreza, do hap kapakun e arkivolit dhe do i them shoferit: “A ta marr unë makinën deri sa të arrijmë?”… Ja, ky ishte Medi Koxhaj, njeriu i mirë dhe gjithmonë me shakanë në majë të gjuhës e buzëqeshjen në shpirt, njeriu që, pikërisht, në ditën e ndërrimit të viteve iku nga kjo botë. Iku shumë para kohe, ndofta për të vërtetuar atë fjalën e urtë që “Më të mirët ikin më shpejt”….
Kjo botë, duke nisur nga dita e parë e vitit do të ketë më pak, jo një njeri të zakonshëm, por një njeri që rrallë i vjen asaj, një njeri nga ata që sot i gjen gjithnjë e më rrallë. Njeri i mbushur plot me mirësi, gazetar i talentuar, ekonomist i përkryer, me njohuri për ekomominë më të shtumta e të thella se ata që sot kapardisen tribunave e ekraneve, biznesmen shumë i sukseshëm, prind e bashkëshort shembullor…
Mediu do t’u mungojë shumë njerëzve, do i mungojë familjes, punëtorëve të shtypshkronjës së tij, bashkëpunëtorëve, miqve e të njohurve, por jam i sigurt se ai do të jetë përditë pranë nesh, pranë atyre që e kanë njohur, me mirësinë e tij, me buzeqeshjen dhe shakanë, që nuk e hiqte nga goja. Po, mbi të gjitha, ai do të jetë pranë nesh se do ta kujtojme gjithmonë për kurajon dhe forcën që pati ai për të përballuar semundjen e rëndë që kaploi që prej 5-6 vjetësh…
Ai e luftoi atë me ilaçe, por edhe me te qeshur. Ai ishte njeriu i rrallë që bënte shaka me sëmundjen, njeriu që i thoshte doktorit para operacionit: “Më hiq sa duash nga pjesët e trupit, vetëm sëmundjen mos ma lër në trup!”. Apo do ma bësh me zinxhir kësaj here barkun o doktor që ta kesh më të lehtë për ta hapur herën tjetër?!”. Dhe, ndofta ngaqë u tall me sëmundjen, ajo nuk e kurseu. E sulmoi me ushtri metastazash dhe me dhimbje të padurueshme. Por ai, mes dhmbjesh, prapë e bënte shaka: “Më dhembin gjithë pjesët e trupit thoshte, veç atyre që kam hequr…” thoshte, kur e pyesnim se si ndjehej…
Por luftëtari i madh i jetës, sfiduesi disa herë i vdekjes, pasi luftoi pesë vjet kundër saj, pasi doli fitimtar në shumë beteja, më në fund u dorëzua… për të mos u harruar kurrë, si njeriu i fortë, njeriu i mirë, si njeriu i qeshur që bënte shaka me të gjithë. Edhe me vdekjen..