Shqipëria i mbyll kualifikueset e “Katar 2022” me fitore minimale 1-0 kundër Andorrës, duke u renditur në vendin e tre me 18 pikë, një rekord për kombëtaren tonë deri më tani.
Ndeshja kundër Andorrës nuk ishte fantastike, madje të besuarit e Edy Reja patën goxha probleme në pjesën e parë. Në fillim ishte Strakosha shpëtimtari, kurse më pas shtylla e shpëtoi nga një gjuajtje e Rosas.
Në fund Shqipëria i afrohet golit me Roshin, por shtylla ndali anësorin e kombëtares sonë. 0-0 pjesa e parë, ndërsa në të dytën Bajrami tentoi nga distanca dhe më pas Uzuni u ndal në vijë fatale.
Beratasi fitoi penalltinë vendimtare në minutën e 71-të, ndërsa dy minuta më pas Çekiçi e ekzekutoi saktë dhe realizoi golin e fitores për Shqipërinë.
ANGLIA DHE HUNGARIA – Anglia ka qenë e pamëshirshme kundër San Marinos, edhe pse një biletë në Katar 2022 i duhej vetëm një pikë. Skuadra e drejtuar nga Gareth Southgate nuk u kursye, duke shënuar 10 gola ndaj skuadrës modeste që kishte përballë.
Katër gola u shënuan nga Harry Kane në pjesën e parë, dy me penallti, ndërkohë që sikurse ndaj Shqipërisë ndeshjen e zhbllokoi Harry Maguire me një gol të shënuar me kokë.
Polonia, që e kishte siguruar vendin e dytë, nuk “theu këmbët” me Hungarinë në shtëpi dhe në fund doli e mposhtur me rezultatin 1-2. Gazfad 10 minuta nga fundi realizoi golin trepikësh në portën e polakëve.
Shqipëri-Andorra 1-0
(Çekiçi pen. 73’)
Poloni-Hungari 1-2
(Swiderski 62’ / Schafer 37’, Gazdag 80’)
San Marino-Angli 0-10
(Maguire 6’, Fabbri aut. 15’, Kane pen. 27’, 32, pen. 39’, 42’, Smith Rowe 58’, Mings 69’, Abraham 78’, Saka 80’)
/b.h