Eksportet kanë rënë gjatë muajit nëntor të vitit të kaluar. Përqindja e mbulimit të importeve nga eksporti ka rënë në vetëm 10.9 për qind, shkruan Koha Ditore. Kjo ka bërë që deficiti tregtar i Kosovës të rritet edhe më shumë, në muajin nëntor të vitit 2015. Eksporti i mallrave në muajin nëntor kishte vlerën 23,7 milionë euro, apo 23 për qind më pak se sa në periudhën e njëjtë të vitit 2014. Kurse vlera e importeve ka qenë për 3.3 për qind më e lartë se në muajin nëntor të vitit 2014. Importi kishte vlerën e 218,2 milionë eurove. Në total, deficiti tregtar gjatë muajit nëntor ka qenë 194.5 milionë euro, apo 14 milionë euro më i lartë se deficiti i periudhës së njëjtë të vitit të kaluar. Vlera e importeve ka qenë me e lartë për 2 miliardë e 100 milionë euro sesa vlera e eksporteve, deri në fund të muajit nëntor të vitit 2015. Niveli i lartë i deficitit tregtar llogaritet si një prej problemeve kryesore që ka Kosova. Ky nivel i lartë i deficitit është shënuar në të gjitha vitet e pasluftës, kryesisht për shkak të produktivitetit të ulët që ka Kosova.