Një sasi tritoli ka shpërthyer mesditën e sotme në një lokal në Shkodër. Deri më tani raportohet se nuk ka të lënduar, por vetëm dëme materiale.
Biznesi mësohet se është në pronësi të Gjin Gurit. Sakaq, policia dhe grupi hetimor ndodhen në vendngjarje për të zbardhur të tjera detaje.
“Në sallën operative të DVP Shkodër është marë njoftim se në buzë të rrugës që të çon në Malin e Shoshit, Njësia Administrative Shosh, Bashkia Shkodër, në lokalin e shtetasit Gj. G., ka ndodhur një shpërthim i vogël, dyshohet nga lëndë plasëse (artizanale). Nuk ka dëme në njerëz, vetëm dëme materiale. Grupi hetimor dhe shërbimet e Policisë janë nisur për në vendngjarje”, bën me dije policia.
PO kush është Gjin Guri?
Ky i fundit pak vite më parë është arrestuar nga policia pasi ka shkëmbyer zjarr me policinë në një aksion antikanabis në Dukagjin. Arrestimi u bë i mundur pak vite më parë në banesën e tij në fshatin Shosh të Dukagjinit, pas një operacioni të mirëorganizuar nga forcat e rendit dhe FNSH e Shkodrës.
Gjin Guri dyshohet edhe si kultivues I bimës narkotike në zonën e Dukagjinit në Shkodër. Gjatë kontrolleve të policisë në fshatin Shosh ai për të shmangur kontrollet në parcelat e tij të kanabisit qëlloi me armë zjarri drejt policisë. Fatmirësisht nga të shtënat nuk u shënuan të lënduar në njerëz.
g.kosovari