Edhe pse Berisha ka qenë një prej artikuluesve të parë, me këmbëngulje të idesë së lënies së mandateve të deputetëve nga PD, edhe pse perceptohet si njeriu që e shtyu Lulzim Bashën për ta marrë këtë vendim, së fundmi ka artikuluar përmes bashkëpunëtorëve të tij se ka qenë kundër.
E ftuar në emisionin ‘Kontrast’ të Report TV, deputetja Albana Vokshi tha se Sali Berisha nuk ka qenë plotësisht dakord për djegien e mandateve.
“Unë di që në Grupin Parlamentar, Sali Berisha ka qenë I vetmi që nuk ishte dakord 100% për djegien e mandateve. Ai tha se para këtij hapi ka aksione të tjera me protesta të pandalshme e të tjera. Pra unë nuk e besoj që ka qenë zoti Berisha pas këtyre vendimeve” – tha ajo.
Vokshi tha se në çdo ‘Foltore’ Sali Berisha e cilëson 25 Prillin si masakër elektorale, ndërkohë që Basha hesht.
“Zoti Berisha është i qartë në këtë pjesë, ka qenë masakër elektorale sepse nuk u ndëshkuan ata që u përfshinë në krimet elektorale. Janë arrestuar disa komisionerë, që janë të fundit fare në listën e fajtorëve. Çdo ditë e më shumë djegia e mandateve ka rezultuar se dalja nga institucionet ishte e gabuar sepse nuk funksionon. Do të funksionte nëse do të kishte rregulla loje, por Edi Rama nuk i ndjek ato” – tha Albana Vokshi.
/b.h