Policia e Kosovës kishte përdorur informacione të marra nga përgjimi telefonik i të paktën 10 aktivistëve të Vetëvendosjes, për të arrestuar deputetët e opozitës: Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Faton Topalli dhe Donika Kadaj Bujupi.
KTV-ja ka arritur të sigurojë një raport informues të Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda, të Departamentit të Përgjithshëm të Policisë, i përpiluar për prokurorin e rastit, nga i cili kuptohet që nga 27 nëntori deri më 30 nëntor 2015, policia kishte përgjuar aktivistët e Vetëvendosjes: Dardan Molliqaj, Hysen Durmishi, Kushtrim Dakaj dhe Sali Zyba, siç thuhet, “me qëllim mbledhjen e informacioneve për gjetjen e vendstrehimit të të pandehurve Albin Kurti dhe Albulena Haxhiu”.
Nga të gjitha bisedat e përmbledhura, thuhet se nuk ka pasur asnjë bisedë telefonike dhe asgjë relevante për rastin nën hetim.
E vetmja vërejtje ishte dhënë për një sms që kishte marrë Hysen Durmishi, më 28 nëntor, ku ai “ftohet që të shkojë në zyrat e LVV-së për arsye se policia i ka rrethuar ato dhe dëshirojnë ta arrestojnë Albin Kurtin”.
Ndërkohë, në Vetëvendosje kanë thënë se asnjëherë nuk janë njoftuar për këtë. Albana Merja, nga Grupi për Studime Politike dhe Juridike, thotë se në raste të tilla duhet pasur kujdes, sepse policia mund të përgjojë vetëm ata persona që janë subjekt hetimesh./Koha.net