Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Gazment Bardhi ka sulmuar deputetin Flamur Noka për rregullat që duhen ndjekur për mbledhjen e Kuvendit.
Teksa publikoi një deklaratë me video të Nokës, Bardhi tha se para dy javësh ai e njihte statutin dhe se ku duhet të dorëzoheshin firmat, sot ndryshon qëndrim dhe i kyç ato në kasafortë në ilegalitet të plotë.
“Në momentin që 1/4 e delegatëve depozitohet, te selia qendrore, kryetari bashkë me Kryesinë kanë detyrë të operojnë të thërrasin Kuvendin”, dëgjohet të thotë Noka në video.
“Partia nuk është as kasafortë, as bunker. Ju lutem, depozitoni kërkesën në protokollin e PD, jepuni mundësinë institucioneve dhe të mbledhim Kuvendin. Nuk do të duhet të ketë palë në PD, PD është pronë e demokratëve, cilido që për një interes apo hall personal synon të përçajë PD, apo të krijojë palë në PD, i bën shërbim regjimit të Edi Ramës. Ne kemi një interes të përbashkët, rrëzimit të regjimit të Edi Ramës. Ky duhet të jetë fokusi jonë. Hallet personale secili t’i mbajë në shtëpinë e tij jo në shtëpinë e demokratëve.
Ne do të ndjekim procedurën, por duhet të jetë një kërkesë, nuk ka një kërkesë për thirrjen e Kuvendit Kombëtar. Të ndjekin procedurën që ka deklaruar më 29 tetor Flamur Noka. Sot PD nuk ka vetëm kasafortë, partia nuk është kasafortë, është institucion, nuk jemi celulë ilegale por strukturë që veprojmë në përputhje me rregullat e miratuara nga organet statutore të partisë. Nëse dikush do të veprojë si celulë është i lirë, por nuk mund ta bëjë në emër të demokratëve e të PD”, tha Bardhi.
/a.r