Fjodor Dostojevski 200 vjet pas lindjes është më aktual se kurrë. Kështu mendon shkrimtari rus Viktor Jerofejev për jetën e bashkëatdhetarit të tij të famshëm, në një shkrim për DW.
Ndryshe nga Lenini, të cilin komunistët e bënë të pavdekshëm dhe që e quanin „më të gjallë se të gjallët”, Dostojevski i lindur më 11 nëntor 1821, u katapultua me udhëtimin në kohë tek e ardhmja – duke mbërritur direkt tek ne.
Dostojevski: në gjurmët e „mbinjeriut”
Le të fillojmë me çështjen që Dostojevski parashikoi temën qendërore të shekullit të 20 – mbinjeriun. Një temë e pranishme kjo në filozofinë e Friedrich Nietzsche, Oskar Spengler apo Lev Shestov, në prozën e Albert Camus, Thomas Mann dhe shumë të tjerëve. Si dukuri politike mbinjeriu korrespondonte me narcizizmin e zymtë dhe në utopinë komuniste me Lenin sa më sipër.
Një tjetër arritje kolosale e Dostojevskit është shpalosja e temës së përjetshme „besimi dhe mosbesimi” në librat e tij. „Nëse nuk ka Zot, gjithçka është e lejueshme”, është një prej tezave të tij dhe kështu ai përshkruan rrugën nga mosbesimi në perandorinë e egër të absurdes.
Vepra e Dostojevskit e ka tejkaluar shekullin e 20. Vepra e tij vjen në kohën tonë si një paralajmërim profetik nga triumfi i entropisë përmes dobësimit të vlerave kulturore, humbjes së mundësive të njeriut, për të njohur vetveten. Budallallepsja, thjeshtëzimi, spikatja e cinizmit dhe marrëzisë, të gjitha këto që ndodhin në rrethin e Pjotr Verçoenskijt në romanin „Demonët”, janë bërë realitet në shekullin e 21.
Shpërbërja e vlerave të përbashkëta ka paralizuar në masë të konsiderueshme si Lindjen edhe Perëndimin. Bashkë me Dostojevskin ne vazhdojmë të duam si edhe më parë „gurët e vjetër të Europës”, sikurse lexojmë tek Dostojevski. Por me gurët e sotëm me sa duket është shumë e vështirë të shtrohet rruga e një përparimi të pranueshëm.
“Bota le të shkatërrohet, por tani unë dua të pi çajin tim”
Dostojevski veprën e tij në mënyrë të habitshme e ka orientuar aq shumë nga e ardhmja, sa të duket sikur figurat e tij popullojnë Rusinë e sotme. Tani këtu sillet vërdallë po ai Pjotr Verçovenskij. Krah për krah me shokët e tij elitë ai shijon pozitat më të larta në politikë. Mes nesh është edhe Rodion Raskolnikov (heroi kryesor i romanit kult „Krim e Ndëshkim”), i luhatur mes lumturisë dhe pasurimit ilegal. E në fund është këtu edhe heroi pa emër i „Skicave nga vrima e qilarit”. Dostojevski është ekzistencialisti i parë europian, prej të cilit buron ideja, që njeriu përmes së keqes që ka brenda vetes mund të shndërrohet në një kafshë. “Bota le të shkatërrohet, tani unë dua të pi çajin tim.” A nuk është kjo formula, që i përshtatet sot autoritarizmit rus?
Dostojevski shkruan në „Ditari i një shkrimtari”, që e keqja ndodhet më thellë se sa mendojnë këta „shëruesit magjik socialistë”. Ky mendim është mjaft aktual. Përpara se ti të luftosh kundër së keqes së jashtmi, njih njëherë vetvehten dhe verifiko, mos ndoshta po ndodh një degjenerim i shpirtit tënd, i cili tek e fundit do më shumë pushtetin dhe mosndëshkimin se sa qëllimet humane.
Jeta e Dostojevskit: një mori vuajtjesh
Ai nis rrugëtimin e tij si një socialist i ri, admirues i Shilerit dhe një humanist i pasionuar. Eshtë vetëm 22 vjeç, kur shkruan romanin e parë „Njerëz të varfër”. Një roman për „njeriun e thjeshtë” është një risi në letërsinë ruse. Fjodor është 28 vjeç, kur e arrestojnë për shkak të pjesëmarrjes në rrethin revolucionar Petraçvski. Pas një ekzekutimi skandaloz të montuar në publik Dostojevski dënohet maskimalisht për një gjë të vogël – edhe në Rusinë e sotme kjo gjë ndodh rëndom.
Ekzekutimi i parealizuar shkakton një shok – në minutën e fundit Dostojevski mëshirohet prej carit Nikolaji i I-rë dhe dënohet me punë të detyruar në Siberi. Goditjet e fatit nuk mjaftojnë me kaq: Gjatë gjithë jetës Dostojevski vuan nga epilepsia e rëndë, ka një marrëdhënie të pafat dashurie me bukuroshen tekanjoze dhe shumë më të re se ai, nihilisten Polina Suslova dhe për shumë vite i dhënë marrëzisht pas bixhozit.
Shkrimtar gjenial përtej politikës
Kur Cari Aleksandër i II-të ngjitet në fron, i jep fund robërisë dhe premton shumë reforma të nevojshme në vend, Dostojevski i kundërvihet rrymës liberale. Duket, sikur ai në reformizmin e ri parashikoi revolucionin e 1917.
Ngado që ta kthesh Dostojevskin „politik”, në prozën e tij ai mbetet një gjeni – pikërisht i fjalës së lirë. Unë do ta quaja Dostojevskin një zbërthyes të shpirtit të gjallë njerëzor. Ai e zbërthente rregullisht shpirtin me një bisturi verbale, për të kuptuar qenien e tij. Me këtë ai ka ndihmuar e ndihmon edhe sot shumë breza lexuesish që të reflektojnë për kuptimin e jetës dhe ndoshta të arrijnë ta kuptojnë atë. Me këtë ai na ndihmon neve sot dhe pasardhësve tanë në të ardhmen që „të gjejnë njeriun tek njeriu”.
Viktor Jerofejev, lindur në vitin 1947, është shkrimtar rus. Më 1979 ai u përjashtua nga lidhja e shkrimtarëve në Bashkimin Sovjetik. Në nivel ndërkombëtar ai u bë i njohur më 1990 me romanin “Bukuria e Moskës”, i përkthyer në 27 gjuhë. Ai jeton në Moskë dhe është kritik ndaj politikës së Vladimir Putinit./DW