Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ftoi edhe njëherë ish-kryeministrin Sali Berisha të depozitojë firmat për mbledhjen e Kuvendit të PD në protokollin e kësaj partie.
Në një konferencë për mediat, ai tha se firmat nuk mund të futen nga dera e pasme dhe të mbyllen në kasafortën e Palokës.
“Nëse i kanë firmat ripërsëris ftesën time në emër të PD ti depozitojnë në protokollin e PD. Çdo institucion i partisë ka përgjegjësinë për të respektuar vullnetin e demokratëve, për të ndjekur çdo procedurë që lidhet me thirrjen e organeve të partisë qoftë Kuvendi Kombëtar, Këshilli Kombëtar apo Kryesia e partisë. Deri në këtë moment në zyrën e protokollit ka punonjës në PD.
Nuk jemi institucion në ilegalitet, nuk kemi asnjë problem me ligjin. Në momentin që flasim nuk ka një firmë të depozituar, nuk e kuptoj ku qëndron problemi, ose më saktë bëj sikur nuk e kuptoj sepse e di ku qëndron problemi i mosdepozitimit zyrtar të firmave në protokollin e PD. Ka një punonjës, ka një shef zyrë protokolli në PD. Nuk vinë firmat në zyrën e Sekretarit të Përgjithshëm.
Nuk sillen firmat nga dera prapa me kuti të mbyllura, futen në kasafortë në një zyrë që nuk është kryetar i Këshillit Kombëtar. Paloka disponon zyrën si ish-nënkryetar partie. Nuk ka zyrë kryetari i Këshillit se është një funksion honorifik, nuk ka staf as administratë në varësi të tij për të kryer asnjë proces.
Tani na thuhet të hyjmë te kasaforta e Palokës për të parë janë apo nuk janë firmat. Sot na u tha se do të vetëverifikohen. Me kë tallen këta?Apo do verifikojnë firmat e njëri-tjetrit. Partia është institucion”, tha Bardhi./m.j