Është një ndeshje shumë e rëndësishme kualifikuese, që po përjetohet ethshëm në shtëpinë e kampionëve të Europës. Në fakt, axurrët do të përballen me Zvicrën e shqiptarëve Xhaka dhe Shaqiri (ndër të tjerë) të premten në mbrëmje. Një sfidë eliminatore për Botërorin 2022, e konsideruar pikë kyçe për dy kombëtaret.
Blutë dhe helvetët mbërrijnë në përplasjen direkte të çiftuar në krye të Grupit C me nga 14 pikë, teksa kanë mbetur vetëm 180 minuta deri në fund të udhëtimit drejt “Katar 2022”. Roberto Mancini e prezantoi sfidën me zviceranët në konferencën e zakonshme për shtyp, ku u shpreh:
“Na vjen keq që kemi humbur Immobile dhe Chiellini. Sidoqoftë, kjo është një fazë ku mund të ketë më shumë lëndime; kjo vlen për të gjitha kombëtaret. Duhet të qëndrojmë të qetë, ne e dimë se çfarë ekipi jemi”.
Në orët e fundit është bërë gjithnjë e më evidente hipoteza se Belotti do të luajë në qendër të sulmit axurr: “Ne kemi edhe një seancë stërvitore sot, më pas një tjetër në mëngjes. Pavarësisht se çfarë vendimi marrim, kushdo që futet në fushë do të japë më të mirën. Sot do të jetë një ditë e rëndësishme, dy ditët e fundit djemtë janë rikuperuar kryesisht. Megjithatë, Belotti është ndër ata që ka mundësi të luajë”.
Italia do të rikthehet për të luajtur në “Olimpico”, një stadium që e ka ndihmuar shumë edhe gjatë “Euro 2020”: “Të luash në kryeqytet është bukur dhe jam i sigurt se tifozët do të na japin një dorë të madhe edhe këtë herë. Në këtë stadium luajtëm tri ndeshje të Kampionatit Evropian dhe publiku na mbështeti shumë. Jam i sigurt që do të jetë kështu edhe nesër, pres një ndeshje të mirë. Djemtë janë të qetë dhe të koncentruar, ata e dinë që duhet të japin gjithçka për të fituar, pa menduar për asgjë tjetër”.
Zvicra nuk është një kundërshtar i lehtë për t’u përballur: “Të gjitha ndeshjet duhet të luhen me motivim maksimal. Kundër Zvicrës, ndeshjet kanë qenë gjithmonë të komplikuara. Ne do të duhet të japim gjithçka, këtë do të bëjnë edhe helvetët”.
Italia ka humbur disa lojtarë në ditët e fundit, por rikuperon Barella në mesfushë: “Ai është mirë, u stërvit dje. Personalisht mendoj se mund të dalë në fushë nesër”. Mancini shpjegoi se si ka ndryshuar kombëtarja në krahasim me “Euro 2020”: “Jo shumë, ne kemi ende hapësirë për përmirësim. Mendoj se mund të forcohemi ende nga tani deri në Kupën e Botës në Katar”.
Zvicra gjithashtu do të paraqitet në këtë ndeshje pa disa lojtarë të mëdhenj: “Për momentin, dëmtimet po i shqetësojnë të gjitha kombëtaret. Problemet e Zvicrës janë të njëjta me tonat dhe kombëtareve të tjera. Nuk do të ndryshoj qasje nga ky fakt, por ajo që di është se ndaj këtij kundërshtari nuk do të jetë e lehtë”.
/a.r