Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e sotme nuk ka marrë asnjë vendim në lidhje me Tom Doshin duke e mbyllur procedurën. “Jemi përballë rastit që nuk përfshihet më në sferën e ligjit të dekriminalizimit. Nuk ka mandat deputeti e as ndonjë mundësi që ta fitojë atë” tha Ilirjan Celibashi.
Pak ditë më parë sektori i Dekriminalizimit pranë Prokurorisë së Përgjithshme përfundoi verifikimet për Doshin (i shpallur “non grata” nga SHBA), që kandidoi për deputet në zgjedhjet e 25 Prillit dhe sapo u mbyll procesi dha dorëheqjen.
Megjithatë rezultatet e këtyre verifikimeve iu dorëzuan KQZ-së, si organ kompetent, që duhet të shqyrtonte nëse janë evidentuar të dhëna që përfshihen në sferën e kufizimeve të ligjit “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, dhe të vlerësonte nëse ato janë brenda periudhës së ndalimit të përcaktuar në po këtij ligji.
Por kryetari i KQZ-së u shpreh se Doshi nuk është deputet dhe procedura u mbyll pa vendim.
/a.r