Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ka deklaruar se 20 autoambulanca të reja do t’i shtohen flotës së Urgjencës Shëndetësore Kombëtare brenda vitit.
“Buxheti 2022 granton mbështetje për skenarët si përgjigje ndaj pandemisë dhe vijon me forcimin e strukturave tona shëndetësore. Sa i përket kohës së urgjencës kombëtare, nëpërmjet investimeve që kemi bërë çdo qytetar që telefonon sot 127 e ka të garantuar jo vetëm marrjen e një thirrje që është e regjistruar por nëpërmjet sistemit elektronik, por nëpërmjet investimit në flotën e ambulancave dhe që sërish do e furnizojmë me 20 autoambulanca të reja brenda vitit që do shpërndahen në të gjitha spitalet e vendit dhe aty ku janë zona të thella që të ulet koha e pritjes sa i përket thirrjes së urgjencave. Ne do mundemi që për zonat qytetase ta ulim kohën e pritjes siç e kemi bërë”, tha ministrja.
Në përgjigje të opozitës e cila e pyeti se sa është numri i mjekëve dhe infermierëve të larguar nga vendi, Manastirliu duke përmendur shifra tha se është shtuar numri i tyre krahasuar me 2013.
“Janë punësuar mbi 1200 mjekë, mjekë të familjes dhe specialistë si dhe mbi 3900 infermierë. Çfarë do të thotë kjo, jo vetëm që kemi rritur numrin e mjekëve, në krahasim me 2013 që ishte 1.2 dhe sot është 1.9 për 1000 banorë. Për infermierët ka qenë rreth 4 kurse sot 5 për 1000 banorë. Kemi rritur kushtet dhe pagat për mjekët dhe infermierët”, shtoi Manastirliu.
Ministrja shtoi se në fokus të buxhetit 2022 do të kjetë vijimi i procesit të vaksinimit dhe rritja e pagave të mjekëve dhe infermierëve me 6 %. Por për opozitën kjo rritje page për mjekët është shumë pak pasi ato prej dy vitesh po përballen me sfida tepër të mëdha.
“Inkurajomë fort rritjen e pagave. Por me 6 % është ofendues për pjesën e shëndetësisë. E gjithë trupa e mjekëve ka qenë dhe është në një presion të jashtëzakonshëm që nga përballimi i pandemisë dhe me presionit e të gjithë shoqërisë në raport me ta. Të rritet paga me 6 % kur çmimet rriten shumë më shumë se kaq dhe kemi një largim të madh të mjekëve nga Shqipëria. Rritja duhet të ishte shumë më tepër. Sa mjeke janë larguar në 2 vitet e fundit nga Shqipëria dhe si do e kompensoni këtë vakum?“, tha Arbër Agalliu.