Mundësia për të vendosur green pass si domosdoshmëri për të hyrë në bare e restorante apo për të marrë shërbime të tjera, është çështje që mund të diskutohet mes ekspertëve.
Kështu shprehet zv/ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, e cila thotë se çdo vendim i kësaj natyre do të bazohet në ecurinë e pandemisë.
“Është një nga ato opsione që mund të diskutohet, nuk është e vendosur. Çdo gjë në varësi si do të jenë zhvillimet në dinamikë”, tha Rakacolli.
Mira Rakacolli pohoi se medikamenti kundër Covid-19 që po përdoret si fillim në Britaninë Madhe, do të përdoret edhe në Shqipëri, mjafton të aprovohet nga EMA.
“Flitet për një medikamet i cili përdoret që është tablet nga goja, është mjekim për format e lehta dhe të mesme të sëmundjes COVID-19 pra që përdoret në ditët e para kur është zbuluar infeksioni. Është medikamet që akoma nuk është aprovuar nga FDA dhe EMA, është në proces miratimi nga ato. Patjetër që edhe ne do ta kemi në Shqipëri nëse ajo do të aprovohet”, deklaroi zv.ministrja.
Ndërsa sa i përket ecurisë së vaksinimit me dozat e treta që nisi të aplikohet nga data 1 nëntor, Rakacolli thotë se është me ritme të kënaqshme, ndërsa e pyetur për vaksinimin e fëmijëve, heziton të përgjigjet.
Deri më tani janë kryer 1,938 mijë injeksione anticovid./m.j