Marilia Mendonça, njëra nga këngëtaret më të popullarizuara në Brazil, ka vdekur në moshën 26-vjeçare nga rrëzimi i aeroplanit me të cilin po fluturonte, thanë zyrtarët.
Katër persona tjerë, përfshirë dajën e saj, producentin e saj dhe dy anëtarë të ekuipazhit, gjithashtu vdiqën në aksidentin që ndodhi në një zonë rurale të rajonit juglindor brazilian, Minas Gerais.
Autoritetet braziliane i kanë nisur hetimet për ta zbuluar shkaktarin e rrëzimit të aeroplanit, shkruan BBC.
Fituese e Grammy-t latin në vitin 2019, Mendonça u bë e famshme duke u përqendruar në përvojat e grave me marrëdhënie të dështuara. Një nga emrat më të mëdhenj të muzikës braziliane të njohur si “sertanejo”, Mendonça e filloi karrierën si adoleshente dhe u bë yll kombëtar në vitin 2016 me një hit.
Ajo njihej edhe si “mbretëresha e vuajtjeve”. Mendonça, e cila la një djalë dyvjeç, kishte planifikuar që të performonte në një koncert të premten në mbrëmje një qytetin Caratinga, vetëm 12 kilometra larg vendit të rrëzimit të aeroplanit. Disa orë para aksidentit, ajo publikoi pamje ku shihej duke hipur në aeroplan./m.j