Skënderbeu gjen fitoren e parë në kampionat, duke i ikur edhe fundit të renditjes. Korçarët mposhtën 2-1 Kukësin, duke dëshmuar se edhe këtë sezon në Kategorinë Superiore ka pak diferenca.
Humbja e dytë radhazi për verilindorët që u mundën edhe në mesjavë në Kupën e Shqipërisë nga Egnatia. Pjesa e parë përfundoi pa gola, por me një ritëm të kënaqshëm golash.
Në të dytën janë vendasit ata që këmbëngulin më shumë dhe në minutën e 54-t kalojnë në avantazh. Skënderbeu në avantazh. Pas një goditje dënimi, topi harkohet në zonë dhe Dumfur me kokë dërgon sferën në rrjetë. 1-0 dhe Skënderbeu merr zemër, Kukësit i duhen minuta të tëra për të hyrë në lojën e vet.
Në 73’ ndërpritet ndeshja për 3 minuta pasi tifozët shajnë në kor gjyqtarin kryesor. Kur pritej që Kukësi të barazonte, ndodh e kundërta. Në minutën e 83’ Mensah dyfishon për korçarët. Kundërsulm vdekjeprurës, me sulmuesin i cili shmang Tafas dhe dërgon topin në rrjetë.
Fillimisht sinjalizohet në pozicion jashtë loje, por VAR korrigjon gjithçka dhe nis festa. Kukësi arrin të ngushtojë në sekondat e fundit, por nuk ka më kohë dhe ndeshja mbyllet 2-1.