Kreu i bandes se Vlores të vitit 1997 Myrteza Çaushi (Zani) kërkon që t’i llogaritën saktë ditët e qëndrimit në paraburgim.
Përpara dy ditësh, ish-kreu i bandës kriminale të Vlorës i ka dërguar kërkesë në Gjykatën e Rrethit të Korçës për t’iu llogaritur të gjitha ditët e qëndrimit në paraburgim nga 3 shtatori 1999 deri në datën e dhënies së vendimit “dënim me burgim të përjetshëm”.
Në korrik të vitit të kaluar, ai bëri kërkesë për lirim me kusht duke arsyetuar se ka kryer shumicën e dënimit dhe është rehabilituar, ndërsa pas refuzimit të kësaj kërkese, Caushi bëri një tjetër kërkesë në Gjykatën e Korçës për të llogaritur saktë vitet e qëndrimit në burg.
Ai pretendon se ka kryer mbi 31 vite burg dhe jo 25. Aktualisht, ai vuan dënimin me burgim të përjetshëm në burgun e sigurisë së lartë të Drenovës.
Myrteza Çaushi u bë i njohur gjatë trazirave në Shqipëri gjatë vitit 1997 kur falimentimi i firmave piramidale solli hapjen depove të armatimit, burgjeve duke bërë që shteti shqiptar të binte në kolaps.
Çaushi krijoi një nga bandat më të tmerrshme të kohës së bashku me miq në Vlorë dhe të afërm të tij duke kryer krime të rënda si: vrasje, pengmarrje, grabitje, përdhunime gjatë periudhës mars-korrik 1997.
Rivaliteti me bandat e Gaxhait, Kakamit dhe Ujit të Ftohtë në Vlorë shkaktuan një zinxhir vrasjesh dhe hakmarrjesh në qytetin bregdetar. ‘Zani’ ishte dënuar në Greqi me 101 vite burg, por arriti të arratisej dhe të kthehej në vendlindje në vitin 1997.
Fillimisht, ai u arrestua pas zgjedhjeve të parakohshme të vitit 1997, por u lirua një vit më pas, për mungesë provash. Më pas, në 3 shtator 1999, policia e shteti prangosi sërish Zani Caushin. Pas një sërë seancash gjyqësore, ai u dënua me burgim të përjetshëm./m.j