Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se kompanitë nga 3 shtetet që refuzojnë t’i bashkohen Ballkanit të Hapur, që janë Kosova, Bosnje-Hercegovina dhe Mali i Zi, do të kërkojnë që të bashkohen në këtë proces së shpejti.
Nga Beogradi ku u mbajt samiti i radhës i Ballkanit të Hapur, Rama tha se në Dhjetor kur do të mbahet takimi tjetër në Tiranë, do të paraqiten dokumente konkrete për kompanitë tregtare të cilat transportojnë mallrat në vendet e rajonit.
E sipas Ramës, kur të dorëzohen këto dokumente konkrete, kompanitë nga 3 shtetet refuzuese do të kërkojnë t’i bashkohen nismës.
“Ata që janë skeptik ndaj Ballkanit të Hapur, i kam dëgjuar. Më vjen shumë keq por i konsideroj arsye të mosarsyes. Thatë që duket sikur Ballkani i Hapur janë për interesat ekonomike të këtyre vendeve. Po pse interesat ekonomike të Shqipërisë ju duken gjë e vogël? Jam këtu për interesat ekomomike të Shqipërisë të cilat drejtpëddtejt fuqizohen nga Ballkani i Hapur.
Në Dhjetor kur të bëjmë takimin në samitin e radhës në Tiranë dhe kur t’i dorëzojmë sipërmarrjeve çfarë kemi konkluduar si zbatim i Procesit të Berlinit, mos u çudisni që kompanitë nga Mali i Zi, nga Bosnja edhe nga Kosova do vijnë përpara se sa të vijnë qeveritë e tyre të kërkojnë të përfshihen në të gjithë rrjetin e lëvizjes për të mos pasur probleme kur hyjnë në kufijtë e vendeve tona. Kjo nuk është konspiracion, kjo është një kërkesë ulëritëse e ekonomive tona, njerëzve tanë. Ne do bëjmë gjithçka për ekonominë tonë”, u shpreh Kryeministri Edi Rama.
/a.r