Sheferedin Shehu, ish-zv/ ministër i Financave në kohën e qeverisjes së PD-së, por edhe deputet i kësaj force politike, ekspert i ekonomisë ishte i ftuar mbrëmjen e sotme në “Radarin Informativ” në “ABC” në një intervistë me gazetaren Jonida Shehu për të “zbërthyer” projektbuxhetin për vitin 2022. Së pari Shehu kritikoi politikën e koncesioneve duke e cilësuar të gabuar dhe me shumë risk për buxhetin e shtetit.
“Në kohën e qeverisjes së PD është përdorur skema e koncesioneve natyrale dhe jo PPP. Nuk krijonte asnjë risk në buxhetin e shtetit. Nuk u jepnim para. PPP-të tani janë kontrata shërbimi, që janë dhënë pa tender. Koncesionet në kohën e PD-së ishin në sektorin energjetik dhe nuk merrnin asnjë lek në buxhet, por jepnin.
Ndërsa tani jepen në shëndetësi pa tender, pa vlerësim paraprak dhe llogaritje të eficencës. Mirëmbajtja e rrugës Durrës-Kukës subvencionet nga buxheti i shtetit. Kemi aeroportin e Vlorës, qeveria ka dhënë garanci që nëse nuk realizohet numri i fluturimeve, subvencionet nga buxheti. Kemi koncesione që garantohen nga taksat tona” tha ai.
Për taksat, i kërkoi qeverisë që të dëgjojë FMN-në. “Duhet një strategji afatmesme për rregullimin e të ardhurave buxhetor. Zero përjashtime nga të gjitha tatimet dhe taksat, pasi krijojnë gropa fiskale. Masa kryesore është heqja e të gjitha favoreve dhe përjashtimeve” tha ai.
Por cfarë mendon Sheferedin Shehu për propozimin e PD-së për uljen e TVSH-së nga 20 në 6% për produktet e shportës? Ai thotë se kjo ka qenë në programin e PD-së që në 2005, por ka qenë dhe vazhdon që të jetë kundër kësaj nisme.
“Unë kam qenë një nga ata luftëtarët për të mos u bërë, pasi ishte në programin e 2005 për të ulur normën dhe Berisha pati mirëkuptimin dhe bëmë ulje të dukshme të tatimeve, mbi fitimin dhe të ardhurat personale, rritëm në mënyrë indirekte pagat dhe nuk e bëmë. Unë i qëndroj si ekspert.
Favoret dhe përjashtimet krijojnë gropa fiskale. Ti ke mekanizma të tjerë buxhetorë, përse merresh me akciza apo makinacione të tjera. Për ushqimet nuk ka nevojë, jepu ndihmë ekonomike, rishiko skemën e ndihmës ekonomike” tha ai.
Gjithashtu Sheferedin Shehu kundërshtoi ndarjen buxhetore. “Dy elementë, rriten shpenzimet e luksit qeveritar 12 mld lekë, që qeveria i justifikon me blerjen e vaksinave, por po të shikosh peshën specifike, 20% shkojnë për situatën e veçantë, të tjerat janë luksi dhe mos harrojmë që kemi një borxh të madh të institucioneve buxhetore ndaj OSHEE-së” deklaroi ai./m.j