Policia greke ka zhvilluar orët e fundit një operacion për goditjen e një nga karteleve më të mëdha të kokainës që operonte në zonën e Athinës.
Sipas informacioneve të para të mediave greke thuhet se deri më tani 6 persona kanë rënë në prangat e policisë, ndërsa janë kapur mbi 10 kg kokainë tepër cilësore.
Operacioni vlerësohet të jetë veçanërisht i rëndësishëm, teksa policia tenton të zbulojë rrjetin sesi kilogramët e kokainës kanë mbërritur te grupi dhe më pas si e kanë shpërndarë “zonjën e bardhë” në disa vende në Athinë.
Gjithçka ka nisur nga një informacion që ka mbërritur në Prokurorinë e Atikës, e cila thotë se persona të caktuar trafikojnë kokainë me shumicë dhe si magazinë shpërndarje kanë një biznes të madh. Në magazina të këtij biznesi iu gjetën 10 kilogramë kokainë pronarit të kompanisë, i cili është arrestuar. Ky i fundit nëpërmjet avokatëve pretendon se nuk di as më të voglën gjë sesi kokaina ka përfunduar në magazinën e tij.
Analistët e sigurisë po përpiqen të deshifrojnë lëvizjet dhe mesazhet e kartelit përmes telefonatave, shënimeve dhe kontakteve, ndërkohë që po hetohet nëse në këtë rast janë përfshirë persona të tjerë.
g.kosovari