Në Shqipëri, parlamenti i hapi sot rrugë nisjes së procedurave për ndryshimet kushtetuese që synojnë zgjatjen e mandatit të dy institucioneve të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve
Propozimi për këto ndryshime është bërë nga shumica e majtë, duke qenë se në qershor të vitit të ardhshëm, Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Komisionerëve publik u përfundon mandati 5 vjeçar. Sipas socialistëve ky mandat është i nevojshëm të zgjatet deri në dhjetor të vitit 2024, kohë brenda së cilës, sipas tyre procesi do të duhet të përfundojë.
Përfaqësuesit e opozitës, u larguan nga mbledhja e përbashkët e Këshillit të Legjislacionit dhe Komisionit të Ligjeve ku u diskutua nisma e socialistëve, pasi nuk u mor parasysh kërkesa e tyre që kjo çështje të diskutohej pas dy ditësh se bashku me kërkesën e paraqitur nga ata, për disa ndryshime të tjera në kushtetutë që do të mundësonin vettingun në politikë.
Në favor të shtyrjes së mandatit të institucioneve të rivlerësimit është shprehur publikisht si ambasadorja amerikane ashtu dhe ai i Delegacionit të Bashkimit europian e po ashtu dhe Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, ekspertët e të cilit mbikqyrin nga afër të gjithë procesin.
Ndryshimet në kushtetutë kërkojnë një shumicë prej dy të tretash të parlamentit e për pasojë një votë konsensuale mes palëve. Nëse opozita nuk do t’i bashkohej nismës së shumicës atëherë procesi i rivlerësimit, do të duhet të kryhet nga Këshilli i Lartë Gjyqësor për gjykatësit dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë, për prokurorët.
Sipas vlerësimeve, deri në fund të mandatit në fuqi, institucionet e Vettingut do të mund të përfundonin procesin vetëm për dy të tretat e mbi 800 gjyqtarëve dhe prokurorëve./m.j