Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev ka dhënë dorëheqjen. Vendimi vjen pas rezultateve të dobëta në zgjedhjet lokale. Në një konferencë për mediat, Zaev tha se largohej si nga posti i kryeministrit, ashtu edhe si kryetar i LSDM-së.
“I përgëzoj kundërshtarët tanë për fitoren në këto zgjedhje. Unë marr përgjegjësinë për këtë humbje politike, përfshirë edhe rezultatet e këtyre zgjedhjeve. Jap dorëheqjen si kryeministër dhe kryetar i LSDM-së. Do të qëndroj ende këtu për aq kohë sa të jetë e nevojshme, për të ndihmuar në riorganizimin e qeverisë së re me një shumicë progresive, e cila ka ekziston dhe mund të rritet. “Unë si person jam pjesë e LSDM-së dhe mbetem në vijën e parë si anëtar i LSDM-së dhe pjesë e popullit tonë”, tha Zaev.
Pas disfatës së partisë së tij në raundin e parë të zgjedhjeve lokale më 17 Tetor, Zaev kishte paralajmëruar dorëheqjen nëse partia e tij humbiste zgjedhjet në raundin e dytë, në veçanti në Shkup.
Zoran Zaev erdhi në postin e kryeministrit më 31 Maj të 2017-s pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që ishin mbajtur në 2016. Ai u zgjodh në krye të qeverisë me votat e të gjitha partive politike shqiptare.
Ndërkohë, lideri i VMRO-DPMNE Hristjan Mickoski, shpalli fitoren në zgjedhjet lokale.
“Maqedonia nga sot do të filloj të ëndërrojë. Të gjithë bashkë për Maqedoninë e së ardhmes. Kjo është dita kur do fillojnë ndryshimet. Ndryshimet për çdo njeri për një jetë më të mirë. Kjo është fitorja e të gjithë qytetareve. Falënderoj të gjithë qytetarët që kanë dalë të votojnë sot. Falënderoj të gjithë komunitetet pa dallim feje apo bindje. Sot fituam të gjithë bashkë. Falënderoj Alternativën, Aleancën për Shqiptarët dhe të majtën sepse sot hodhëm poshtë të gjitha barrierat. Kjo na tregoi se një opozitë e bashkuar mund të fitojë. Maqedonia pa korrupsion, pa mafie. Shumë shpejt presim zgjedhje të ardhshme parlamentare”, tha Mickoski.
/a.r