Popullsia në Shqipëri parashikohet të tkurret me 116 mijë vetë deri në vitin 2031, për shkak të uljes së lindshmërisë dhe emigracionit, duke pasjellë kështu edhe uljen e mëtejshme të numrit të nxënësve në arsimin e detyrueshëm, të mesëm dhe të lartë.
Ulja e nxënësve do të sjellë shkrirjen e shkollave sidomos të arsimit bazë si dhe ndryshimin e numrit të mësuesve. Zvogëlimi i popullsisë do të prekë më shumë qarqet Dibër, Gjirokastër, Kukës dhe Fier. Duke shtuar edhe fenomenin e plakjes së popullsisë, numri i nxënësve në shkolla pritet të ulet në mënyrë shqetësuese.
Këto parashikime reflektohen në strategjinë kombëtare për arsimin për periudhën 2021-2026. Dokumenti voluminoz është miratuar nga qeveria në 22 tetor 2021.
Në dokument thuhet se rrejti i shkollave nuk i përshtatet më numrit në rënie të nxënësve.
Në vitin shkollor 2019–2020, 8.5 % e nxënësve të arsimit bazë vijonin mësimin në klasa të bashkuara kolektive për shkak të numrit të ulët. Në këto kushte, dokumenti parashikon shkrirjen e klasave kolektive dhe rrjedhimisht edhe të shkollave, duke i transferuar nxënësit në shkolla të tjera dhe klasa normale. Kjo do të thotë se në të gjitha qarqet e vendit do të kemi shkrirje shkollash, por sidomos në Dibër, Gjirokastër, Kukës dhe Fier.
“Do të vazhdohet me realizimin e planit për transferimin e nxënësve nga klasat kolektive në shkolla ku mund të arsimohen në klasa normale. Vendimet do të merren në bazë të projeksioneve demografike dhe mundësive për sigurimin e transportit deri në shkollën tjetër. Kujdes i veçantë do t’i kushtohet sensibilizimit të prindërve dhe komunitetit për këtë proces, duke bashkëpunuar me njësitë e vetëqeverisjes vendore dhe me organizatat e shoqërisë civile…Numri i lartë i mësuesve në raport me numrin e nxënësve dhe mungesa e profileve të caktuara në disa zona të vendit. Me tendencat aktuale demografike, kërkohet shpërndarje më racionale e mësuesve në raport me numrin e nxënësve dhe plotësimi i nevojave për të gjitha profilet e mësuesisë”, thuhet në dokument.
Sa i takon objektivave, strategjia parashikon pjesëmarrje të plotë në klasën përgatitore dhe arsimin e detyruar të fëmijëve, rritje të aksesit në arsimin parashkollor dhe të mesëm e të lartë, rritjen e sigurisë në shkolla, formim cilësor të mësuesve, rritje të mësuesve ndihmës, psikologëve dhe oficerëve të sigurisë në shkollat e arsimit parauniversitar.
Gjithashtu, parashikohet rritje të fëmijëve më aftësi të kufizuara dhe të komunitetit rom në shkolla, mbështetje financiare ndaj tyre, luftë kundër bullizmit, dhunës, ekstremizmit dhe gjuhës së urrejtjes, përmirësim i infrastrukturës.
Në dokument thuhet se do të përmirësohet pozicioni i mësuesit, përmes rritjes së pagave dhe sistemit të kualifikimit (ngritjes nga ana profesionale), si dhe trajtimit sidomos të mësuesve të gjuhës shqipe dhe të shkencave ekzakte. Gjithashtu parashikohet përmirësimi i teksteve shkollore, investimi në laboratorë, digjitalizimi i arsimit, fokusimi tek mësimi i zejeve, arteve dhe sporteve.
Sa i takon arsimit të lartë, strategjia parashikon rritjen e cilësisë përmes riorganizimit të programeve të studimit, modernizimit të infrastrukturës akademike dhe aplikimit të standardeve të larta të vlerësimit institucional dhe të programeve të studimit. Qeveria do të angazhohet për një ndërlidhje më të mirë të arsimit të lartë me tregun e punës, nxitjen e kërkim shkencor dhe përmirësimin e mësimdhënies, sigurimi i integritetit akademik, transparencës dhe llogaridhënies në sektorin e arsimit të lartë, përmirësimin e statusit socio-ekonomik të studentëve nëpërmjet formave të ndryshme të ndihmës financiare, ndërkombëtarizimin e arsimit të lartë etj./shqiptarja.com-Adriatik Doçi/m.j