Pas një lufte nervash dhe dështim seancash nga 16 korriku 2021 deri në 21 shator 2021, Komisioni i Vetingut vendosi më në fund të shkarkonte nga detyra prokurorin e Tiranës, Dritan Gina, pasi nuk justifikonte një pjesë të pasurive me burime të ligjshme të ardhurash.
Gina u shkarkua në 22 shtator 2021 nga trupa gjykuese e përbërë nga Etleda Çiftja, Xhensila Pine dhe Valbona Sanxhaktari. Në vendimin e shkarkimit reflektohet edhe një incident i pazakontë, ditën e shpalljes së vendimit, ku prokurori Gina hyri me forcë në sallën e seancës dëgjimore, pasi më parë ishte përplasur me punonjësi e Gardës, pas refuzimit për t’u kontrolluar dhe mosparaqitjen e kartës së identitetit.
Sipas trupit gjykues, vetëm kjo sjellje do të mjaftonte për ta shkarkuar nga detyra Dritan Ginën, edhe sikur të kalonte testin e pasurisë. Në vendim thuhet se një sjellje e tillë e është parikuperueshme edhe sikur të vendosej që prokurori të shkonte për ‘riedukim’ në Shkollën e Magjistraturës.
“Gjithashtu, trupi gjykues vlerëson se subjekti i rivlerësimit, nëpërmjet veprimeve të tij për mosparaqitjen e kartës së identitetit dhe mos lejimin e kontrollit fizik nga garda e republikës, si organ përgjegjës për sigurinë e zhvillimit të seancës dëgjimore dhe, më tej, hyrja me forcë në sallën ku zhvillohej seanca dëgjimore tregoi se nuk ishte bashkëpunues me Komisionin. Trupi gjykues i Komisionit çmon se kjo sjellje duhet të jetë pjesë e vlerësimit tërësor të procedurave, sipas parashikimit të nenit 4, paragrafi 2, i ligjit nr. 84/2016, në përfundim të të cilit arrihet në konkluzionin se një sjellje e tillë ndaj një procesi kaq të rëndësishëm, jo vetëm për jetën profesionale të subjekteve, por edhe të mirëfunksionimit të vetë sistemit të drejtësisë dhe shtetit të së drejtës në vend, cenon besimin e publikut te funksionari që e kryen atë, në një mënyrë të parikuperueshme nëpërmjet ndonjë programi trajnimi në Shkollën e Magjistraturës. Në vlerësim të trupit gjykues, edhe vetëm kjo qasje e sjellje ndaj procesit të rivlerësimit do të përmbushte një nga kushtet e parashikuara për shkarkim nga detyra, atë të pikës 5, të nenit 61, të ligjit nr. 84/2016”, thuhet në vendim.
Beteja për seancën dëgjimore
Në vendim përshkruhet beteja me Dritan Ginën dhe avokatin e tij Eno Bushi për të zhvilluar seancën dëgjimore, për shkak të kërkesave të njëpasnjëshme procedurale dhe raporteve mjekësore, me qëllim për të shtyrë në kohë procesin. Në 28 qershor 2021, Komisioni i Vetingut i dërgoi rezultat e hetimit Dritan Ginës, duke i lënë afat deri në 12 korrik për të provuar të kundërtën. Gina ka paraqitur shpjegimet e tij, ndërsa ka theksuar se ishte me raport mjekësor nga data 24 qershor deri në 9 korrik 2021.
Komisioni i Vetingut caktoi datën 16 korrik për zhvillimin e seancës dëgjimore. Kjo seancë u shty për në datën 26 korrik pasi Gina paraqiti një tjetër raport mjekësor. Në seancën e datës 26 korrik, Gina paraqiti një sërë kërkesash për përjashtim të anëtarëve të trupit gjykues, duke bërë të mundur shtyrjen e seancës dëgjimore deri në 15 shtator 2021. Seanca e 15 shtatorit dështoi përmes kërkesave. Të njëjtin fat pati edhe seanca e 16 shtatorit. Seanca e fundit u mbaj në 21 shtator 2021, e cila i shpëtoi dështimit falë ndërhyrjes energjike të përfaqësuesit ndërkombëtar Ferdinando Bouatier.
100 mijë USD ‘tepër’ dhe apartamente dhuratë
Duke vënë në balancë shpenzimet dhe të ardhurat, Komisioni i Vetingut kishte konstatuar se prokurori Dritan Gina nuk justifikonte rreth 100 mijë USD për vitet 2010-2015.
Komisioni konstatoi si pasuri problematike një apartament me sipërfaqe 121 m2 në Tiranë. Këtë pasuri, Dritan Gina ka deklaruar se ia ka dhuruar vjehrri në vitin 2004. Apartamenti kishte vlerë rreth 34 mijë euro. Por, nga hetimi ka rezultuar se kontrata me shoqërinë ndërtuese ishte nënshkruar nga Dritan Gina dhe bashkëshortja e tij, Rovena Gashi, duke paguar edhe detyrimin monetar. Sipas KPK-së, çifti nuk kishte burime të të ligjshme të ardhurash për të blerë këtë apartament.
Nga ana e tij, Dritan Gina këmbënguli se këtë pasuri ia kishte dhuruar vjehrri atij dhe bashkëshortes së tij Rovena Gashi. “Vjehrri ka deklaruar kalimin e të drejtës reale të pronës në emër të vajzës dhe emrin tim. Me ç’të drejtë është konkluduar se e kam paguar unë? Si ma faturoni mua?”, tha ia.
Në vitin 2011, prokurori Dritan Gina ka blerë një apartament në Durrës tek “Shkëmbi i Kavajës”, me sipërfaqe 105 m2, me vlerë 88 mijë USD. Nga ky çmim, Gina tha se shitësi i kishte ulur atij 35 mijë euro pasi e kishte shok. Megjithatë, KPK-ja konstatoi se Gina kishte mungesë të ardhurash të ligjshme në vlerën 19 mijë USD për të përballur blerjen e këtij apartamenti. Gina kundërshtoi këtë konkluzion, duke pohuar se ishte i vetmi nga radhët e prokurorëve që kishte deklaruar trajtimin preferencial në blerjen e kësaj pasurie. Gina akuzoi këshilltarët ligjorë dhe ekonomikë të KPK-së se kanë krijuar tymnajë rreth pasurisë së tij.
Komisioni i Vetingut konstatoi se Dritan Gina nuk kishte burime të ligjshme të ardhurash as për të justifikuar blerjen e një makine me vlerë 15 mijë euro në vitin 2016. Për këtë konstatim Gina tha se “Makina është blerë ne emër të subjektit Rovena Gashi dhe nga hetimi i Komisionit për atë subjekt nuk janë gjetur probleme. Ç’punë kam unë tani që më dalin probleme?”.
U shkarkuar edhe bashkëshortja Rovena Gashi
Dritan Gina është bashkëshorti i Rovena Gashit, ish-drejtuese e Njësisë për Dekriminalizimin në Prokurorinë e Përgjithshme dhe e cilësuar si krahu i djathtë i ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla në Prokurorinë e Përgjithshme. Rovena Gashi është shkarkuar me vendim të formës si prokurore në maj të vitit 2019, pasi bashkë me babanë e saj nuk justifikonte një pasurinë me vlerë rreth 930 mijë USD. Gjatë procesit gjyqësor në Kolegjin e Apelimit, ajo kërkoi që të mbrohej nga motra e saj, Ema Gashi, e cila për këtë shkak dha dorëheqjen nga drejtësia. Por, kjo kërkesë nuk u pranua nga trupa gjykuese pranë Kolegjit të Apelimit. Kështu të dyja motrat përfunduan jashtë sistemit të drejtësisë./shqiptarja-Adriatik Doçi/m.j
Futni ne burg kta hajdute,te quajtur gjyqtare,te degjeneruar.