Ministri i Jashtëm i Kinës, Ëang YI ndodhet në një vizitë zyrtare në vendin tokë, ku ka zhvilluar takime me kryeministrin Edi Rama, Presidentin Ilir Meta dhe Ministren e Jashtme, Olta Xhaçkën.
Gjatë takimit me Metën në Presidencë, bisedimet u përqendruan në forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve.
“Zhvillimi i marrëdhënieve ekonomiko-tregtare, shkëmbimet në bujqësi, turizëm, kulturë dhe arsim janë fusha me interes dhe me dobi reciproke për vendet dhe popujt tanë”, nënvizoi Meta gjatë takimit.
Po ashtu, Meta duke theksuar rëndësinë e rolit të Shqipërisë, si anëtare jo e përhershme e Këshillit të sigurimit të OKB-së për vitet 2022-2023, që përkon edhe me 50-vjetorin e anëtarësimit të RP të Kinës në OKB, e siguroi YI për bashkëpunim në funksion të forcimit të mëtejshëm të paqes dhe stabilitetit kudo në botë.
Ndërkohë nuk janë zbardhur ende detaje nga takimi i ministrit Kinez me Ramën.
Në takimin me ministren Xhaçka, u fol po ashtu për forcimin e marrëdhënieve në çdo fushë.
“Një bisedë e hapur dhe vërtet konstruktive për të ardhmen e marrëdhënieve tona në çdo fushë. Optimistë që së bashku do të dimë të gjejmë konvergjenca e hapësira bashkëpunimi, për të shfrytëzuar sa më mirë potencialin ekonomik, kulturor e njerëzor, duke trajtuar po ashtu me respekt reciprok e mirëbesim çdo çështje tjetër mes nesh”, tha Xhaçka.
/b.h