Kryetarja e bashkisë së Shkodrës Voltana Ademi nuk është përgjigjur drejtpërdrejt nëse është gati për zgjedhje, nëse i tillë do të jetë vendimi i Gjykatës Kushtetuese.
E pyetur nga mediat sot pas takimit me kryeministrin Edi Rama, Ademi tha se duhet të presim vendimin e 2 nëntorit.
“Do duhet të presim vendimin e 2 nëntorit”, tha ajo.
Gjykata Kushtetuese riktheu për shqyrtim çështjen e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit dhe seanca do të zhvillohet më 2 nëntor në orën 10:00.
Çështja ishte pezulluar në pritje të përgjigjes nga Komisioni i Venecias. Shoqata e Bashkive i është drejtuar me një padi Gjykatës Kushtetuese përmes së cilës kërkon ripërsëritjen e zgjedhjeve të 30 qershorit.
Në përcaktimin e seancës që rikthen çështjen për shqyrtim, Kushtetuesja argumenton se është konstatuar se ka rënë shkaku i pezullimit të procesit, kjo për faktin se Komisioni i Venecias iu përgjigj pyetjeve të gjykatës./m.j