Missi serb Valentina Petroviç, është fotografuar duke bërë shqiponjën me miss-in shqiptar, Frontina Gashi dhe miss-in kosovar, Besa Çitaku. Kaq ka mjaftuar që mediat ta kryqëzojnë atë për këtë veprim.
Media serbe ka përcjellë lajmin duke theksuar vazhdimisht fjalën provokim dhe termin “Shqipëri e Madhe”. Ngjarja ka bërë që Missi të tërhiqet nga gara.
Ditën e sotme ishin në lidhje “Skype” me emisionin “Shqipëria Live” miss Shqipëria dhe Kosova, të cilat thanë se ka qenë ajo së bashku me një tjetër që u kanë kërkuar për të bërë foto bashkë.
“Na ftuan vetë ato. Në Serbi u bë një rrëmujë e madhe. Asaj i kanë thënë ofendime dhe sharje të rënda përmes portaleve serbe. I gjithë shteti e ka kritikuar. Ajo ishte shumë e mërzitur dhe tha se ka shumë probleme të mëdha në vendin e saj.
I kanë thënë se do i marrin pasaportën e të shkojë të jetojë në Shqipëri dhe Kosovë. Nuk ndihemi keq meqenëse na kanë ftuar ato të dyja me bërë foton me duart me shqiponja”, tha bukuroshja Frontina.
Nga ana tjetër, bukuroshja Besa shtoi se edhe familja e saj e ka kritikuar, ndërsa menaxherja i ka thënë se duhet të hiqet nga gara.
“Marrëdhëniet kanë qenë të mira me të. Kemi qenë disa herë në tavolinë bashkë e kemi pas respekt për njëra-tjetrën. Ajo është vajzë e mirë dhe kemi respekt për të dhe na vjen keq çfarë i ka ndodhur”, tha Çitaku./m.j