Për Josif Shtëmbarin, shef sektori në Drejtorinë e krimeve të rënda në Policinë e Shtetit, ngjarjet e fundit kriminale që kanë tronditur opinionin publik kanë tronditur edhe situatën normale të rendit dhe sigurinë në vend.
“Në përgjithësi gjendja e kriminalitetit në të gjithë territorin është pothuajse nën kontroll, përveçse këtyre ngjarjeve të fundit. Vazhdimisht, nga strukturat por edhe me urdhër të drejtorit të përgjithshëm ka vëmendje. Tre katër ngjarjet e fundit kanë pasur impakt. Po ta shohësh situatën në përgjithësi dhe po ti krahasosh me një vit më parë, numri i veprave penale ka një rënie të ndjeshme. Puna e policisë ka avancuar. Po bëhet një luftë frontale me krimin”, tha ai në një intervistë në studion e Report Tv.
Shtëmbari ka dhënë detaje për tre ngjarjet e rënda kriminale të javëve të fundit. E para ngjarje që ai cek është ajo e Qerretit në Kajavë, ku u gjetën të vdekur 4 rusë në hotel ‘Gloria’, një ngjarje e mbushur plot mister.
Josif Shtëmbari thotë se sipas strukturave të policisë rusët me shumë mundësi kanë vdekur prej asfiksisë.
“Paraprakisht është punuar intensivisht për ngjarjen e Kavajës me katër viktima. Dyshohet për asfiksi, por akoma nuk është dhënë një konkluzion i saktë për të caktuar shkakun e vdekjes. Janë fiksuar të gjitha provat dhe janë dërguar institucioneve për të gjitha analizat. Deri tani, për mënyrën si janë gjetur viktimat, ajo që paraprin është një asfiksi. Bëhet fjalë për asfiksi, pasi mushkëritë janë gjetur në një gjendje të tillë, kështu thonë edhe mjekët. Po priten rezultate të analizave për ajrin, ujin, ushqimin. Kjo që thashë unë mund të jetë edhe paraprake. ISHP ka dashur të marrë provat vetë nga ekspertët e saj, por ne kemi njerëz për këtë punë, ekspertët tanë. Ata kanë qenë njerëz të thjesht, vajza mësuese, nuk ka lidhje me ngjarje të tjera. Vlerësimi nga ne është maksimal”, tha ai.
/b.h