Kuvendi kombëtar i PD-së do të mblidhet dhe këtë nuk mund ta ndalojë as Sali Berisha. Kështu u shpreh në studion e “Ditarit” në A2 CNN, anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Indrit hoxha.
Sipas tij, janë mbledhur mbi 65% e firmave të delegatëve, që janë të mjaftueshme për të marrë vendime në Kuvend, ndërsa hedh poshtë deklaratat e kryetarit demokrat, Lulzim Basha, për institucione paralele.
“Janë mbledhur mbi 65% e firmave të delegatëve. Janë mbledhur firmat e mjaftueshme të delegatëve për të marrë vendime me votë në kuvend. Nuk është Basha që nuk njeh Kuvendin, por është kuvendi që mund të mos ta njohë Bashën. Si mund të jenë paralele kur nga 65% që kanë firmosur 25% i ka zgjedhur zoti Basha. Kërkesat kryesore janë ndryshimet staturore. Qëllimi është hapja e Partisë Demokratike dhe kthimi në forcë fituese. Kemi një parti me kryetar dhe pa ekip. Mbledhjen e kuvendit nuk e ndalon dot më as Berisha se janë mbledhur firmat”.
Ai theksoi se Kuvendi do të diskutojë çështje themelore statutore të Partisë Demokratike, hapjen dhe demokratizimin e saj dhe mund të zgjasë më shumë se një ditë.
“Nuk ka kuvend antiamerikan. Janë dy çështje të ndryshme çështja e Berishës me SHBA është tjetër dhe Kuvendi Kombëtar është tjetër gjë. Ne marrim vendime për atë që ndodh brenda forcës sonë politike, sikurse është dhe vendimi për hapjen e garës për kreun e PD. ¼ e firmave të delegatëve thërrasin Kuvendin e Shqipërisë. Statuti janë ligje të brendshme të PD. Mënyra si e ka bunkerizuar Basha PD-në kërkon të bëjë dhe interpretimin që janë aneks kontrata që ia këshillojnë juristët se paaftësia e tyre dihet se nuk kemi fituar asnjë betejë ligjore me Ramën. Nuk e ka statuti që duhet të marrim leje në Këshill për të mbledhur Kuvendin. Neni 43 thotë që ¼ e firmave thërret Kuvendin jo më herët se 30 ditë dhe kjo e detyron kryetarin e PD të ngrejë komision për mbarëvajtjen e Kuvendit. Kuvendi në fillim do të jetë statutor do të propozohen ndryshimet në statut, mund të jetë 2-3 ditor se do kohën e vet. Çdo votë do të jetë transparente dhe do të hapë garën për lidershipin e PD”.
Hoxha e akuzon Bashës si antiamerikan dhe thotë se e ka bunkerizuar PD-së, duke përjashtuar çdo njeri të aftë brenda partisë.
“Oerd Bylykbashi është një nga juristët më të mirë të PD që Basha e ka larguar së fundmi pse është pro Berishës dhe këtë e ka bërë me çdo individ, çdo njeri që është i aftë e ka larguar dhe e ka bunkerizuar partinë. Partia nuk është Basha, por Kuvendi i PD. Në ka një njeri antiamerikan është Basha, madje demokratët i janë mirënjohës SHBA-së që bënë këtë veprim se zgjuan elektoratin e djathtë për të kuptuar se kush është Lulzim Basha”.
Ai shkon më tej duke deklaruar se Basha po bën gati dokumentat për krijimin e një partie të re.
“Nga informacionet që kam unë njerëz pranë Bashës po bëjnë gati dokumentat për të bërë partinë e re republika e re që t’i çojë në gjykatë. Unë nuk ia këshilloj këtë gjë se janë fraksionet brenda PD. Basha e ka kthyer si parti komuniste dhe kjo duhet të marrë fund brenda PD”.
Sa për Foltoren e ish-kryeministrit Sali Berisha me demokratët, Hoxha theksoi se ajo do të vazhdojë në të gjitha degët e PD-së edhe pas mbledhjes së Kuvendit Kombëtar demokrat.
“Foltorja nuk ndalet do të shkojë në 75 degët e PD. Foltorja do të vazhdojë edhe pas përfundimeve të Kuvendit. Ne jemi në opozitë dhe ne jemi në fushatë gjatë gjithë kohës”.
/b.h