Nga Fatmir Merkoçi*
Nisma për të ngritur Komision të posaçëm është e drejtë e sanksionuar. Kjo e drejtë është e sanksionuar në kushtetutë. Kështu:
Neni 77
- Kuvendi zgjedh nga gjiri i tij komisione të përhershme, si dhe mund të caktojë komisione të posaçme.
- Kuvendi ka të drejtë dhe me kërkesë të një së katërtës së të gjithë anëtarëve të tij, është i detyruar të caktojë komision hetimi për të shqyrtuar një çështje të veçantë. Përfundimet e tyre nuk janë detyruese për gjykatat, por mund t’i njoftohen prokurorisë, e cila i vlerëson sipas procedurës ligjore.
Ndaj, kjo e drejtë, nuk mund të mohohet nga shumica në Kuvend. Nëse thyhet ky rregull, atëherë vetë organi më i lartë ligjvënës shkel në mënyrë të drejtpërdrejtë atë që vetë e ka miratuar. Ndaj dhe Gjykata Kushtetuese, në këtë rast, ndodhet para faktit real. Si pasojë, ajo nuk mundet të marr vendim tjetër, veç asaj çka është e shkruar, si e zeza mbi të bardhë. Vetëm në parlamentet diktatoriale apo ato mono-parti nuk lejohet të krijohen Komisioni të tilla. Të cilat, ngrihen për çështje të përcaktuar. Por çështja nuk qëndron tek ngritja e komisionit.
Në këto 30 vite pluralizëm, në Kuvend, janë ngritur e ringritur komisione të tilla. Por cili ka qenë përfundimi i tyre? Kur ngrihen të tilla komisione, kemi gjithnjë të përcaktuar edhe përbërjen, objektin dhe afatin.
Qysh në hapin e parë, pra tek përbërja, gjithmonë ka pasur debat. Debati, kryesisht, ka qenë për sekretarin e komisionit pasi, kryetari është i grupit kërkues. Por ka dhe raste kur, komisionet hetimore kanë bashkë-kryetar. Dhe ky debat ka sjellë jo pak herë, harxhin e kohës të përcaktuar. Afatet e këtyre komisioneve gjithmonë janë të përcaktuar. Zakonisht janë tre mujore. Por në të gjitha rastet, komisionet kanë kërkuar shtyrje të afatit. Argumenti ka qenë dhe mbetet gjithmonë i njëjtë. Jemi penguar nga institucionet përgjegjëse, për të na vënë në dispozicion dokumentet e duhura. Ose janë dokumente të klasifikuara dhe duhet kohë për shqyrtim. Ose anëtarët e komisionit, për efekt të dokumentit të klasifikuar, duhet të pajisen me Çertifikatë Sigurie. Pra gjithmonë janë gjetur justifikime, për të shtyrë afatin e komisionit hetimor. Nga ana tjetër, këto komisione, më shumë janë ngritur për t’i dhënë kredo kërkuesve, se sa për të zgjidhur problemin. Të dyja grupimet në këto komisione, sidomos kur kanë qenë me bashkë-kryetar, kanë paraqitur dy raporte përfundimtare.
Sot opozita kuvendare, ka humbur shumë nga kredot e saja. Jo vetëm se ka dalë tre herë humbëse, por edhe se vetë situata politike brenda saj, është tepër e nder. Tashmë ajo kërkon të rrisë reputacionin e saj, nëpërmjet kërkesave, për të ngritur komisione të posaçme. Gjë që ja lejon kushtetuta dhe rregullorja e Kuvendit.
Them për të ngritur kredot pasi, ashtu siç thuhet, dhe në nenin 77 pika 2, në pjesën e këtyre komisioneve, as nuk mundet të marrin të pandehur, dhe as nuk mundet të ngrenë akuza. Pra komisionet e Posaçme janë thjesht për të vënë në dukje një fakt, Nëse ky fakt bëhet real, atëherë e vetjma gjë e cila mbetet është dërgimi në prokurori si një kallzim penal. Ndërkohë, fare thjeshtë, kur faktet janë reale, askush nuk mundet ta ndalojë kallzimin në prokurori qoftë edhe pa ndjekur rrugën e komisioneve.
Do ishte e frytshme ngritja e një komisioni të posaçëm për legjitimitetin paraardhës. Për legjitimitetin e tij; për ligjet e P.P.P.; të korporatave; ligjet speciale; si dhe, ligjet e dala me emra nominal të kompanive. Apo dhe Ligji për Marrjen e Pronës Publike, po le ligj të dalë nga Ai Kuvend. Ky komision do kishte dhe objekt të veçantë hetimi, i cili minimalisht do hetohej se kush e propozoi ligjin, interesi për këtë ligj, etj.; kush përfiton minimalisht; koha e shqyrtimit dhe diskutimit në komisionet e përhershme; si dhe dakortësitë për ta futur në seancë plenare.
Kjo do ishte një e drejtë sa legjitime, aq dhe në interes për qytetarët. Ky hetim do bënte të mundur nxjerrjen para përgjegjësisë të autorëve të këtyre ligjeve. Apo më e rëndësishmja, do i jepte të drejtë morale dhe ligjore, kërkesave drejtuar Gjykatës Kushtetuese.
Me sa duket, ashtu siç kam theksuar, Opozita në këtë situatë, është më e interesuar për të bërë sikur po bën opozitarizëm, se sa të kërkojë themelim e çështjeve që janë sa themelore aq dhe rënduese në buxhetin e shtetit. Këtë e them pasi: Komisionet e posaçme dhe hetimore, në të gjitha rastet e kërkuara dhe të ngritura, asnjëherë nuk kanë prodhuar realitet efikas. Ato janë përdorur gjithmonë për përfitime politike. Të cilat, janë përdorur më pas, në fushata elektorale, apo debate televizive.
Nëse vazhdohet me të njëjtën formë dhe mënyrë do kemi gjithmonë të njëjtin produkt. Do kemi vetëm bërje “sherresh” duke anashkaluar apo miratuar në heshtje, të gjitha ato veprime apo ligje, të prodhuara nga Kuvendi paraardhës. Kjo do të thotë se: Përsëri do vazhdohet me të njëjtën mënyrë. Pra do të kemi “shantazhe” mes palëve, dhe si pasojë vendi do vazhdojë të qeveriset me marrëveshje. Gjë që nuk është as në dobi të popullit e as të vendit.
*Avokat