Nga Dr. Minella Aleksi
Në zyrat e atyre që e deklaruan Dr. Berishën “Non grata” një fjalë e urtë qarkullon: Mos shpreso të jesh në shtegun e drejtë, në qoftëse je duke ecur me njeriun e gabuar. Me këtë deklarim Dr. Berishës i është vendosur një X mbi portretin e tij që e ngarkon atë me një përgjegjësi shumë të rëndë historike për rolin e luajtur në fatet e Shqipërisë. Të del vetvetiu pyetja se çfarë përfaqëson personaliteti psikologjik i këtij njeriu? Jam Sali Berisha unë, o budallenj. Ky shpërthim emocional në një situatë jashtë vetkontrolli psikologjik i një ish Kryeministri është emblema e profilit psikologjik të atij që e artikulon. Inteligjenca emocionale (e njohur ndryshe si koeficienti emocional) shpreh kapacitetin intuitiv për të kuptuar thellë dhe saktë se si emocionet ndikojnë në motivimin dhe sjelljen e njeriut. Sa më e zhvilluar aq më mirë vetkontrollohen emocionet. Janë të ndryshëm por shpesh ngatërrohet me Koefiçientin e intelektit. Prej ditës së parë të marrjes së pushtetit Dr. Berisha është i njëjti.
Ka manifestuar ndaj funksionit më të lartë të shtetit dhe ndaj popullit të tij të njëjtën sjellje tepër konfliktuale. Reagimet emocionale të papërpunuara apo të pa kontrolluara ndaj problemeve mund të bëhen vetë probleme të reja për shkak të ndikimit të thelluar negativ në gjendjen tonë të përgjithshme emocionale dhe vendimmarrjen. Paradoksi është se Dr. Berisha që në fillimet e tij si politikan ka qënë dhe është i rrethuar me mjek të aftë. Ata e dinë mirë se: sjellja e tij përmban të gjithë mozaikun afatgjatë të shëndetit mendor me çrregullime antisociale të personalitetit. Gjëndje që përfshin dy çrregullime mendore të rëndësishme: Sociopatinë dhe Psikopatinë, të cilat nuk janë sinonime.. Sociopati- çrregullimi antishoqëror i personalitetit me prirje për akte të dhunshme deri në krim. Psikopati – çrregullim antishoqëror i personalitetit me tipare vrasësi pa pendesë dhe që nuk ndryshon.
Bazuar në informacionet nga nënvetëdija njeriu ka aftësinë për ti shprehur emocionet si një reagim instiktiv i pa vullnetshëm dhe i pa përpunuar mendërisht në formë zemërimi, frike, dëshire, shqetësimi, konfuzioni, dashurie, trishtimi, adhurimi, neverie. Këto emocione “kondensohen” në vetëdije në formë ndjenjash, sepse çfaqen pas vetreflektimit logjik, si rezultat i gjykimit të mendimeve tona ose të veprimeve që bëjmë. Kjo është veçori tërësisht individuale, e aftësuar sipas fondamentit biologjik dhe më pas nën influencën e ambjentit social-ekonomik. Kështu ndërtojmë një përvojë subjektive të vetëdijshme e cila do shprehet me vetpërmbajtje të balancuar ose do shprehet me shpërthime emocionale të pakontrolluara.
Për njeriun shpërthyes që e mbysin emocionet Seneka thotë: Njeriu i mënçur përmbahet dhe lotët e gëzimet i ka me kufi, jo si njeriu i pa mënçur që e mbysin si gëzimet edhe lotët. Të gjithë duan diçka. Shumica do të gjejnë mënyra për të marrë atë që duan, por ajo që i ndan individët është se deri sa larg ata janë të gatshëm të shkojnë për të marrë atë që duan. Ekstremi i tyre i lakmuar është: Pas meje qameti. Sociopatët janë individë ekstremë që do të shkojnë në çdo ekstrem nëse mendojnë se do të jenë në gjendje të marrin atë që duan. Gjenerojnë energji të pafundshme për arritjen e asaj që duan. Gënjeshtarë patologjikë, u mungon durimi i nevojshëm për reflektim, bëhen shumë lehtë viktima të impulsivitetit shpërthyes emocional dhe mungesës së aftësisë për të qënë të detajuar në nismat e tyre të rëndësishme.
Sociopati me lehtësi kalon nga gjëndja e qëndrueshme dhe triumfuese në të qënit viktimë duke e ngarkuar fajin për veprimet e kryera te një tjetër. Sociopatët shpesh mund të ngatërrohen për narcisistë ose psikopatë, pasi ata janë të ngjashëm në disa tipare, por asnjë prej tyre nuk i shënjestron individët e tjerë me pasionin e një sociopati. Ndryshe nga sociopatët, psikopatët, nga ana tjetër, i planifikojnë veprimet e tyre deri në detajet më të vogla, duke i kalkuluar mirë ato për të shmangur zbulimin. Shumë të duruar në planet e tyre e si më të zgjuar do të lënë më pak të dhëna gjurmuese që mund të çojnë në kapje.
Sociopatët të shfaqen si jashtëzakonisht simpatik ose jashtëzakonisht kërcënues, në varësi të asaj forme manipulimi që ata mendojnë se nevojitet për të marrë atë që duan. Për sociopatin ekstremet janë normë. Manipulatorë të aftë ata dinë të kërkojnë individët e dobët, të vetmuar ose të tjerët me çështje të vetëvlerësimit që janë veçanërisht të ndjeshëm ndaj lajkave dhe sharmit të tyre. Shumica e individëve gënjejnë herë pas here, por sociopatët janë gënjeshtarë të pakontrollueshëm e të pa fre për të gënjyer. Siç u përmend më parë, ata krijojnë histori të mëdha, dhe në proçes e sipër, ata thonë shumë gënjeshtra. Ata shkojnë aq larg sa të ndryshojnë historinë e tyre sa herë që e tregojnë nëse është më e përshtatshme për ta ose, i mban ata larg nga telashet. Ata kanë pak interes për të vërtetën, veçanërisht nëse kjo i pengon të marrin atë që duan.
Ndërsa psikopatia shoqërohet me agresion “instrumental”, i njohur gjithashtu proaktiv, ose “gjakftohtë” me kalkulim të rrezikut deri në imtësira . Këta njihen si psikopatë “të suksesshëm”, pasi kanë një tendencë për të kryer krime të ndërtuar me paramenduara.
Psikopati mund të manipulojnë dikë tjetër për të shkelur ligjin, duke e mbajtur veten të sigurt në një distancë. Ata janë manipulues kryesorë të ndjenjave të njerëzve të tjerë, por për çudi ata vetë nuk janë në gjendje të përjetojnë emocionet. Ky profil psikopati mendoj se shkon mjaft mirë me atë të Enver Hoxhës. Psikopatët dhe sociopatët ndajnë numër karakteristikash të përbashkëta, mungesën e ndjeshmërisë për të tjerët, shpërfilljen e ligjeve ose konventave shoqërore dhe prirjen për dhunë. Duke folur për dhimbjen, mos prisni që sociopatët të tregojnë ndonjë pendesë për dhimbjen që shkaktojnë ose të keqen që bëjnë. Atyre u mungon ndjeshmëria dhe pendimi sepse thjesht nuk përjetojnë turp ose emocione të lidhura me të. Nëse nga ekuacioni “Faj+turp+pendim=Përgjegjshmëri e heqim fjalën “turp” ekuacioni përmbyset në Papërgjegjshmëri. Papërgjegjshmëri morboze ekstreme.
Gazetari konservator amerikan Bret Stephens më 2020 ka vërejtur se: “Ashtu si injoranca ishte forca e romanit “1984” të George Orvvell, Paturpësia u bë virtyt në (GOP) Great Old Party të Trumpit ” . I pa turp, nën efektin e mungesës së përgjegjësisë tavani mbi kokën e sociopatit hapet në gjithë gjerësinë e vet. Ai fillon të shikojë qiellin, të vetkënaqet me lavdinë, të notoj si princi në hapsirën e kaltër qiellore ku në rrugën drejt “suksesit” eleminohen pengesat, të mirat e shumta i bëhen të prekshme, sugjestionohet nga përunjësia e atyre që e rrethojnë duke i përjetuar vet maksimalisht emocionet. Në një situatë të tillë sociopati nuk ka asnjë kujdes vëmëndjeje për konseguencat që pësojnë të tjerët. Ata do u shkaktojnë të tjerëve dhimbje në mënyrë indirekte me gënjeshtrat dhe manipulimet e tyre. Ata madje do t’i lëndojnë të tjerët me dashje.
Më shpesh ndryshe nga psikopatët, sociopatët do të dëmtojnë të tjerët me fjalë dhe veprime në mënyra që nuk përfshijnë dëm fizik. Sidoqoftë, ato ndonjëherë mund të jenë agresive, të paparashikueshme dhe mjaft të rrezikshme. Çuditërisht qënie shumë racionale sociopatët varen nga racionaliteti, por kjo nuk do të thotë se ata janë të motivuar nga morali. Pa racio, mashtrimi i tyre mund të dalë në dritë. Sociopatët janë jashtëzakonisht egocentrikë, edhe nëse askush nuk e konstaton atë në takimin e tyre të parë. Një tipar thelbësor i personalitetit psikologjik të të dyjave është natyra mashtruese dhe manipuluese. Sociopat është një fjalë e rëndë. Në librin me titull “Sociopati në derën ngjitur” bëhet me dije se sociopatët përbëjnë katër përqind të popullsisë në Amerikë ndërsa psikopatët 1% dhe raporti mashkull-femër është 20-1. Përfundimi “ngushëllues” për këtë statistikë tronditëse është se vetëm një pjesë e vogël e këtij katër përqind janë vrasës serial.
Mjaft politikanë të ashtuquajtur “gjarpërinj me kostum” në nivelet më të larta të pushtetit kanë qenë dhe janë sociopatë. Sociopatia është një çrregullim i vërtetë mendor, dhe për fat të keq, një gjëndje që nuk ndryshon dhe as nuk kurohet me ilaçe. Edhe pse këto dy çrregullime anti sociale të personalitetit kanë gjëra të përbashkëta, studjuesit e fushës bien dakord në një gjë: termi psikopat përbën një sjellje me bazë genetike ndërsa termi sociopat përcakton një sjellje që është rezultat i një dëmtimi trunor nga traumë fizike, i një abuzimi fizik dhe psikologjik të përsëritur në moshë fëminore dhe para pubertale, apo një braktisje ose humbje prindërore psikologjikisht shumë traumatike. Faktorë që për pasojë përcaktojnë konstruktin e identitetit të njeriut në moshë të rritur. Psikopati lind, sociopati bëhet. Diferenca midis tyre reflekton diskutimin natyrë–fondamenti biologjik kundrejt ndërtimit të personalitetit nën influencën e ambjentit shoqëror.
Turpi prej asaj që ke bërë, të shtyn të kuptosh që faji bën jetën e tij brenda teje. Faji lind, rritet dhe në zymtinë e heshtjes vjen një moment që kuptohet se tashmë po bën jetën e vet. Një lloj si gruaja që brenda vetes ndjen fillimin e jetës së bebes. Emocionet janë krejt të ndryshme. Hyjnore për gruan dhe ferr dantesk për fajtorin. Sa më i rëndë faji aq më i thellë depresioni. Çuditërisht edhe pse kalon kohë dhe duket sikur incidenti me faj ka humbur peshë nga rëndësia e vet, faji fle dhe zgjohet, derisa fajtori vdes ndërsa faji jeton jetën e dytë edhe pas vdekjes së fajtorit. Sociopatin e kanë krahasuar me një bishë të pakapshme dhe vështirë të parashikueshme. Disa njerëz e ndiejnë atë brenda vetes shumë më të fortë e shumë më të frikshme sesa e ndiejnë të tjerët. Turpit nuk përshkruhet. Efekti korroziv i Turpit përbën mekanizmin frenues që vetëdija ushtron mbi instiktet e nënvetëdijes. Turpi mund të frenojë atë që ligji nuk e ndalon.
Shoqëria e ruan ekuilibrin nëpërmjet dy mekaninizmave, një i shkruar-Ligji dhe një i pashkruar-Turpi. Turpi është një shpirt që ha e gëlltit ndjenjat. Paturpësia është forca e sociopatit. Berisha instaloi në shoqërinë shqiptare frymën destruktive berishiste. Historinë e bëjnë individualitetet. Turma është konfuze, emocionale, krijon iluzione, kthen sytë pritës nga udhëheqsi, ndërsa individi në krye të saj është ai që ka vizionin, aftësinë të ndërtojë taktika dhe zotësinë e mbajtjes nën kontroll të trumës. Sipas zotësisë për të bër liderin shkon edhe mbarëvajtja e arritjes së qëllimeve. Psikopatët dhe sociopatët ekzistojnë dhe ata kamuflohen mes nesh. Përvoja amerikane me presidentin Trump risolli në kujtesën amerikane urtësinë e ish Presidentit Thomas Jefferson se: “Nëse njeriu i gabuar përdor mjetet e duhura, mjetet e duhura funksionojnë në mënyrën e gabuar”.