Këshilli i Ministrave këtë të mërkurë vendosi me propozim të ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, shpronësimin për interes publik, përmes kompensimit me shkëmbim, në funksion të procesit të rindërtimit për zhvillimin e zonës së re për të gjitha pasuritë që preken nga realizimi i këtij projekti në njësitë administrative 4 dhe 8, zona “5 Maji”, Bashkia Tiranë.
Shpronësimi, sipas vendimit, përmes kompensimit me shkëmbim bëhet në favor të Bashkisë Tiranë. Pronarët e pasurive të paluajtshme shpronësohen përmes kompensimit me shkëmbim, sipas të dhënave që paraqiten në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë e llojit “truall”, “ndërtesë banimi” dhe “ndërtesë jo banimi”.
Shkëmbimi i pasurive private të llojit “truall”, “ndërtesë banimi” dhe “ndërtesë jo banimi” me një pasuri tjetër të paluajtshme në pronësi të shtetit, aktuale ose të ardhshme, të bëhet referuar legjislacionit në fuqi, sipas cilësimeve në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, si dhe marrëveshjeve/kontratave individuale që do të lidhen, ndërmjet Bashkisë Tiranë dhe subjekteve të prekura nga ky shpronësim.
Sipërfaqja e ndërtimeve në objektet e reja për banim, që përfitojnë poseduesit e ndërtimeve të klasifikuara si ndërtime pa leje (banesa) është 100 për qind e sipërfaqes së objektit pa leje.
Zona e “5 Maji”-t e trumbetuar vazhdimisht nga qeveria si një nga zonat kryesore të procesit të rindërtimit dhe që do të kthehej në një qendër të re të kryeqytetit, po lë pa shtëpi banorë të zonës. Ata janë ngritur disa herë në protesta, pasi deri më tani sipas tyre nuk u është dhënë asnjë zgjidhje. Në vijim të projektit për rindërtimin, do të bëhet shembja e banesave të mbi 1200 banorëve. Ata kanë premtuar se nëse nuk do të bëhet dëmshpërblimi i banesave, do të vijojnë protestat e njëpasnjëshme.
/b.h