Organizata Botërore Meteorologjike paralajmëroi të hënën se përqendrimet e gazeve që krijojnë efektin serë, kishin arritur një rekord të ri vitin e kaluar dhe kanë vazhduar të rriten me një ritëm më të shpejtë se norma mesatare në dekadën e fundit, pavarësisht një rënie të përkohshme gjatë Pandemisë Covid-19.
Agjencia e Kombeve të Bashkuara për motin ka publikuar raportin e saj vjetor mbi gazet që bllokojnë nxehtësinë në atmosferë, proces që njihet ndryshe si efekti serë. Në raport thuhet se perqëndrimet e dioksidit të karbonit, metanit dhe oksidit nitrik janë mbi nivelet e epokës para-industriale ose vitet 1750, kur aktivitetet e njeriut filluan të ndikojnë tek ekuilibret në planet.
Raporti u publikua në prag të fillimit të Konferencës së Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike e njohur si COP26 në Skoci. Shumë aktivistë të mjedisit, shkencëtarë dhe hartues të politikave thonë se konferenca ofron një mundësi të mirë për të trajtuar ndryshimet klimatike dhe respektuar objektivat e përcaktuara në marrëveshjen e Parisit për klimën në vitin 2015. Petteri Taalas është Sekretar i Përgjithshëm i Organizatës Botërore Meteorologjike me qendër në Gjenevë të Zvicrës.
“Kemi dëgjuar mbështetje të lartë politike lidhur me ambicien për të zbutur situatën. Por mungojnë premtimet konkrete dhe aktualisht po shkojmë drejt ngrohjes 2.5 deri 3 gradë Celsius në vend të ngrohjes 1.5 deri 2 gradë Celsius.”
Ai tha se përparimet kanë qenë shumë të ngadalta dhe se bota duhet të trajtojë emetimet gjatë kësaj dekade. Zoti Taalas ngriti alarmin se mos respektimi i objektivave të Parisit do të shkaktojë vuajtje për qindra apo mijëra vitet e ardhshme.
Bota duhet të përshtatet me motin e ashpër për të shmangur humbjet njerëzore dhe ekonomike të lidhura me ndryshimet klimatike. Ai tha se edhe nëse frenohen ememetiet, apo ndotja e shkaktuar nga njeriu, prirjet për mot ekstrem do të vazhdojnë për disa dekada.
Raporti mbështetet tek të dhënat e mbledhura nga një rrjet që monitoron sasinë e gazeve që krijojnë efektin serë, të cilat mbeten në atmosferë, pasi disa sasi të tjera treten nga oqeanet dhe biosfera.
Organizata Botërore Meteorologjike tha se mbyllja ekonomike e vitit të kaluar për shkak të pandemisë, në përgjithësi nuk kishte ndonjë ndikim të dallueshëm tek nivelet e gazeve dhe ritmet e shtimit të tyre, megjithëse pati një rënie të përkohshme të ndotjeve të reja.
Drejtuesi i organizatës tha se ekosistemet e pyjeve tropikale, si Amazona, janë bërë një burim karboni për shkak të shpyllëzimeve, dhe nuk po funksionojnë si filtra natyrale si më parë./ VOA
g.kosovari