Arbitri francez Turpin ndaloi ndeshjen me Poloninë në Air Albania, për shkak të hedhjes së shisheve ndaj miqve që sapo kishin shënuar. Gjest ky që na kushtoi mbylljen e eliminatoreve pa tifozë.
Por në Francën e Turpin diçka e tillë nuk është risi, dhe çuditërisht nuk shkakton ndërprerjen e ndeshjes.
Në ndeshjen e rëndësishme midis gjigantëve francezë, Marseille-PSG, pamjet tregojnë një moment që nuk ka asnjë të përbashkët me vlerat e sportit, teksa braziliani Neymar ekzekuton një goditje këndi, dhe forcat e sigurisë detyrohen ta mbrojnë atë nga shishet dhe objekte të ndryshme duke përdorur mburoja.
Një akt i rëndë, që la gojëhapur edhe kundërshtarin e tij Dimitri Payet, i cili sheh pothuajse i pashpresë drejt tifozerisë së tij, që në këtë sezon ka qenë protagonistë e shumë ngjarjeve të tilla.
Sipas mediave angleze, 9 policë janë të lënduar, nga përballja me tifozët si brenda ashtu edhe jashtë stadiumit “Velodrome”, ndërsa 21 tifozë u arrestuan nga policia, të cilët janë dërguar në paraburgim.