Instituti Robert Koch në Gjermani paralajmëron mundësinë e fillimit të valës së katërt të pandemisë. Duke iu referuar gjendjes në pavionet e kujdesit intensiv në spitale dhe numrit të infektimeve në rritje, raporti javor i institutit thekson se mund të pritet që numri i infektimeve gjatë muajve të vjeshtës dhe të dimrit të rritet.
Vendi regjistroi mbi 20 mijë infektime në 24 orët e fundit, që janë mbi 8 mijë raste më shumë se një javë më parë. Rritje pati edhe incidenca javore. Edhe mjekët e mjekësisë intensive japin alarmin për shkak të mungesës së infermierëve. Shoqata Ndërdisiplinore Gjermane për Kujdesin Intensiv dhe Mjekësinë Emergjente (Divi) njoftoi se “mund të pritet një kufizim i dukshëm në kujdesin ndaj popullatës” në periudhën e ardhshme”
“Një valë e parashikueshme e rëndë e vjeshtës dhe dimrit” me shumë pacientë me COVID-19, por edhe sëmundjet e tjera infektive të organeve të frymëmarrjes, si gripi, mund të krijojë për mjekësinë intensive në Gjermani një gjendje të papërballueshme, citohet të ketë thënë Stefan Kluge, drejtor i Klinikës për Mjekësinë e Kujdesit Intensiv, gjatë një prezantimi në Qendrën Mjekësore Universitare Hamburg-Eppendorf.
Sipas raportit të RKI, gjithnjë e më shumë shpërthime të infektimeve janë vërejtur në objektet mjekësore por edhe në shtëpitë e të moshuarve. Në deklaratë thuhet se infektimet janë zvogëluar dukshëm pas vaksinimeve, por ndër të infektuarit ka edhe të vaksinuar. Të moshuarit janë veçanërisht të rrezikuar nga infektime të tilla, sepse ato mund të jenë edhe me fatalitete. Sipas raportit, “pritet” që në të ardhmen të ketë më shumë të infektuar tek personat e vaksinuar plotësisht, sepse po “shtohen gjasat e kontakteve të personave të vaksinuar me këtë virus”. Por, thekson raporti, infektimet me pasoja të rënda janë shumë të rralla tek njerëzit e vaksinuar.
Instituti Robert Koch thekson se incidenca dukshëm më të larta se të moshuarit janë regjistruar tek grupmoshat më të reja, kur shkalla e vaksinimit është më e ulët. Por rastet janë shtuar edhe tek personat e moshës së mesme (35 deri në 44 vjeç).
/b.h