Projekti i qeverisë për “100 F”, ku investoi miliona euro në infrastrukturë për të nxitur agroturizmin në mbi 100 fshatra të vendit nga veriu në jug ka hyrë në fazat e tjera; ato të krijimit të menysë dhe të marketingut dhe promovimit të tyre.
Për këtë qëllim, Gazeta Shqip mëson se Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka hapur tenderin me vlerë 40 milionë lek për konsulencë në identifikimin dhe hartimin e menyve autentike të këtyre fshatrave.
FSHZh thotë se kjo është pjesë e programit operacional 2021-2023 dhe të gjitha paratë e këtij tenderi mundësohen nga Qeveria shqiptare.
“Kjo ndërhyrje synon ridimensionim e fshatit shqiptar në një nivel të kënaqshëm në raport edhe me turizmin dhe jetën socio-ekonomike të banoreve që jetojnë në ta. Fshati shqiptar është pjesë integrale dhe e pazëvendësueshme për sektorin e turizmit në përgjithësi dhe atij të agroturizmit në veçanti”, thuhet në dokumentat shoqëruese të tenderit.
Duke marrë në analizë faktorët që ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin e turizmit në territorin e 100 Fshatrave, FSHZH thotë se ka “identifikuar si nevojë krijimin e produkteve autentike ushqimore lokale dhe krijimin e Menysë 100 Fshatrat”.
Te kriteret teknike që i kërkohet operatorit ofertues është ajo që të ketë në organikë një drejtues ekspert marketingu, shef kuzhine me përvojë mbi 10 vite, dietolog, studiues të trashëgimisë kulturore, ekspert turizmi, producent, drejtor kreativ, dhe zhvillues “Ëeb”.
Një tjetër tender i hapur nga FSHZH është edhe ai me vlerë 25 milionë lek dhe me objekt “Ndërhyrje për promovimin e zonave të 100 Fshatrave nëpërmjet eventeve kulturore/sportive/kulinarie/sociale, etj”. Fjala është vetëm për fazën e parë të shërbimeve të konsulencës që duhet të ofrohen për marketing për të promovuar 100 fshatrat.
Menyja autentike e fshatrave mund të ketë rëndësi, por nxitimi për ta hartuar atë kur në shumë fshatra, pjesë e 100 të tillëve të përzgjedhur si turistikë nga Qeveria, nuk janë kryer ende investimet elementare.
Drishti dhe Zogaj në Shkodër janë shembuj tipikë. Në Drisht, përveç aksit rrugor, asgjë tjetër nuk ka ndryshuar. Kalaja e këtij fshati, me të njëjtin emër gjendet në një kodër 800 metra të lartë, por asnjëherë nuk ka marrë vëmendjen e duhur nga institucionet. Kalaja e Drishtit është monument kulture i Kategorisë I. Gjithashtu monument kulture i kategorisë së parë është edhe Kisha Trikonëshe në Kalanë e Drishtit, shpallur me Vendim Nr. 786/1, në po të njëjtën ditë, datë 05.11.1994 nga Ministria e Arsimit dhe e Kulturës.
E njëjta situatë paraqitet edhe në muzeun historik, ku çelësat e këtij muzeu i mban në mënyrë vullnetare një familje e fshatit, që herë pas here hap dyert e muzeut për ata pak vizitorë që janë të interesuar.
Ndryshe nga Drishti, Zogaj në kufi me Malin e Zi dhe pranë Liqenit të Shkodrës nuk ka pasur fatin as të ketë rrugën me Shirokën, megjithëse është vetëm 12 kilometra larg nga qyteti.
Rrugë është vetëm me një korsi dhe pa sinjalistikë rrugore, e shpesh herë ka qenë rrezik për banorët, por edhe burim aksidentesh. Ngushtësia e këtij aksi përveçse është një problem për automjetet, ka penguar edhe zhvillimin e turizmit në Zogaj. Ky aks rrugor afron edhe më shumë Malin e Zi me Shqipërinë, duke i hapur rrugë turizmit, por edhe fushave të tjera mes këtyre dy shteteve.
Në kuadër të 100 fshatrave turistikë, Zogaj nuk ka parë dritë investimesh edhe pse deri në fund të 2020, investimet e fshatrave të përzgjedhur duhet të kishin kryer.
Situatë e ngjashme paraqitet edhe në fshatrat e tjerë të projektit të nisur në 2018 nga ana e Qeverisë. Në shumë prej tyre investimet mungonë, te të tjerë ato janë lënë përgjysmë, duke mos çliruar të gjithë potencialin agro-turistik të premtuar. SHQIP