Kryeparlamentarja Lindita Nikolla ka takuar këtë të mërkurë krun e parlamentit të Greqisë Constantine An. Tassoulas.
Kryetari Tassoulas, shprehu kënaqësinë që pret në Parlamentin e Greqisë Kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë dhe e uroi Lindita Nikollën për zgjedhjen në këtë detyrë të lartë. Tassoulas shprehu vullnetin e Greqisë për të forcuar bashkëpunimin me Shqipërinë si edhe gatishmërinë e Parlamentit të Greqisë për të nxitur e mbështetur bashkëpunimin e gjithanshëm midis të dy vendeve.
“Greqia është një fqinje e çmuar, një mike historike dhe e qëndrueshme, partnere e rëndësishme e Shqipërisë në rrugën drejt demokracisë, përparimit dhe integrimit evropian. Bashkëpunimi midis dy vendeve tona është strategjik dhe ne jemi të vendosur që ai të vazhdojë të forcohet në frymën e fqinjësisë së mirë, në të mirë të interesave tona të përbashkëta, partneritetit të ngushtë në NATO dhe perspektivës së përbashkët evropiane.
Shqipëria i është mirënjohëse Greqisë për mbështetjen e madhe, të qartë dhe të vendosur të procesit të integrimit evropian, çeljes së negociatave dhe jemi të bindur se këtë mbështetje e kemi edhe për mbajtjen e Tryezës së parë Ndërqeveritare gjatë Presidencës sllovene, brenda dhjetorit 2021.
Vendet tona i lidhin edhe dy ura të fuqishme miqësie: minoriteti grek në Shqipëri, i cili gëzon të gjitha të drejtat që gëzojnë qytetarët shqiptarë dhe komuniteti i emigrantëve shqiptarë në Greqi, të cilët përbëjnë komunitetin më të madh të të huajve dhe që prej tridhjetë vjetësh kontribuojnë për familjet e tyre, për ekonomitë dhe sistemet e mirëqenies së të dy vendeve.”, theksoi Nikolla.
Kryeparlamentarja Nikolla falenderoi homologun grek, Tassoulas edhe për ndihmën e Greqisë për përballimin e pasojave të tërmetit të 26 nëntorit 2019 si edhe për dhurimin e mbi 120 mijë dozave të vaksinave, duke ndihmuar për përballimin dhe daljen nga pandemia e Covid-19.