Kryeministri Edi Rama mbajti fjalën në ceremoninë e 30-vjetorit të Programit të Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara (PNUD).
Rama solli në kujtesë kontributin e organizatës dhe programit të zhvillimit nga vitet e para të pluralizmit, 97-ta, dhe ndërhyrjet në lumin e Lanës pas viteve 2000. Rama tha se përmes PNUD-it kemi mësuar demokracinë ashtu si fëmijët abetaren.
“Më kanë bërë një fjalim shumë të gjatë. Do mundohem të flas në mënyrë sa më të përmbledhur gjë që nuk më vjen lehtë pas fjalës së ambasadores suedeze. Shqipëria hyri në OKB në dhjetor të 1945 por u gjetën 36 vjet që Shqipëria të hynte në një marrëdhënie domethënëse me organizatën e OKB-së përmes programit për zhvillim dhe UNDP-në. Atë kohë qëllimi i vetëm i UNDP ishte ti jepte sat ë mundej oksigjen vendit në një moment ndryshimi që bashkë me lirinë kishte sjellë një mal me sfida dhe vështirësi. Është e paimagjinushme që në harkun e një jete të kemi pasur fatin të shohim dy botë kaq të ndryshme, botën e të shkuarës kur edhe pse ishim anëtarë të OKB-së nuk kishim asnjë marrëdhënie me programin për zhvillim, dhe botën e sotme dhe të ardhme kur ne jemi anëtarë jo të përhershëm të KS të OKB”, tha Rama.
“Janë shumë gjërat që janë bërë në 30 vite nga ky bashkëpunim. Ajo që të bën përshtypje kur shikon listën, është fakti që programi ka qenë i pranishëm në gjithë momentet kritike, kyçe, të këtij procesi të jashtëzakonshëm të transformimit të vendit nga diktaturë e mbyllur në një demokraci në ndërtim dhe sipër.
Programi ka qenë i pranishëm në momentin e trazirave të vitit 1997, kur u pilotua nisma e armëve në këmbim të zhvillimit. Ka qenë i pranishëm në periudhën e kthesës historike të Tiranës, ku pas 11-vjeçari kaosi dhe deformimi urban të paimagjinushëm, dhe i mungesës së ligjit e rregullit, u futëm në një rrugë të re duke u përpjekur të rikthejmë qytetin te njerëzit, tu japim sensin e hapësirës publike si një hapësirë e ndërmjetme mes pronave private të njerëzve. Kemi pasur mundësinë të punojmë me një organizatë që më shumë se paratë ka dijen dhe transferimin e dijeve.
Na është dashur që këto gjëra ti mësojmë si fëmijët abetaren, rast pas rasti. Një shoqëri e tërë është dashur të hyjë në një kurs kundër analfabetizmin në raport me demokracinë dhe jo me letërsinë. Programi ka qenë i pranishëm nga reforma territorial deri te reforma e drejtësisë. Ka qenë i pranishëm kur na është dashur të përballemi me çështjen e përmbytjeve. Programi është një milingonë në raport me elefantët e mëdhenj që kemi të pranishëm. Si një milingonë arrin të bëjë të mundur një sasi pune të paimagjinueshme për përmasat që ka. Nuk e di çfarë do të kishte bërë po të kishte pasur mundësinë e elefantëve”, shtoi kreu i qeverisë./m.j