Për të afruar më tej të rinjtë e Shqipërisë me ato të Serbisë është nënshkruar këtë të mërkurë një memorandum bashkëpunimi mes Kongresit Rinor të dy vendeve.
Drejtorja e Kongresit Rinor Kombëtar, Dafina Peci tha se të rinjtë në Shqipëri dhe Serbi kanë sfida të përbashkëta si pjesë të të njëjtit rajon, gjë që e thekson rëndësinë e bashkëpunimit.
“Të materializohet ajo fqinjësia e mirë duke qenë se të rinjtë e Shqipërisë dhe Serbisë kanë sfida të përbashkëta, sidomos në kuadër të bashkëpunimit rajonal.
Janë çështje që lidhen me nxitjen e punësimit, edukimin cilësor, me më shumë hapësira publike për të rinjtë”, u shpreh Dafina Peci.
Të rinjtë e dy vendeve kanë treguar interes për të ndërtuar ura bashkëpunimi, megjithatë nuk ka munguar dhe hezitimi.
“Ata që ia dinë rëndësie dialogut kanë treguar interes për të ndërtuar ura më të qëndrueshme bashkëpunimi.
Ka shumë punë për të bërë me ata të rinj që janë hezitues, të rinj që janë në zonat kufitare ku ndjeshmëria është më e lartë”, tha Dafina Peci./m.j