Dje, në moshën 84 vjeçare, u nda nga jeta Colin Powell, një ndër personalitetet më të shquar të politikës dhe të diplomacisë amerikane dhe asaj botërore gjatë më shumë se tre dekadave të fundit. Këshilltar i Presidentit Ronald Reagan për Sigurinë Kombëtare (1987-1989), Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shteteve të Bashkuara në administratat e presidentëve George H. W. Bush dhe Bill Clinton (1989-2003) dhe Sekretar i Shtetit i Shteteve të Bashkuara (2001-2005) në administratën e Presidentit George W. Bush, Colin Powell zë një vend të veçantë në jetën e amerikanëve dhe ka luajtur një rol të rëndësishëm në historinë politike të Shteteve të Bashkuara, dhe në marrëdhëniet e superfuqisë së vetme të globit me shoqërinë ndërkombëtare. Në cilësinë e Sekretarit të Shtetit, Colin Powell vizitoi Tiranën në 2 maj të vitit 2003 duke nënshkruar me qeverinë shqiptare dy marrëveshje shumë të rëndësishme. Gazeta DITA boton me këtë rast, si një homazh për këtë njeri të shquar, fragmente nga libri me kujtime “Afrimi i madh”, që pritet të botohet së shpejti, i diplomatit tonë të njohur, Prof. Fatos Tarifa, i cili përfaqësoi Shqipërinë si ambasador i saj në Shtetet e Bashkuara në të njëjtën periudhë katërvjeçare që Colin Powell shërbeu si Sekretar i Shtetit. Këto fragmente nga diplomati shqiptar që e ka njohur Colin Powell-in më mirë se kushdo tjetër në këtë vend, të cilat botohen sot për herë të parë, bëjnë fjalë pikërisht për vizitën e Sekretarit Powell në Tiranë, të cilën ai vetë e ka cilësuar si “një akt miqësie” dhe, pas kthimit në Uashington, ka thënë për atë vizitë se ishte “një kënaqësi e kulluar”.
Nga Fatos Tarifa
Botuar në DITA
Pjesa e parë
Vizita e Sekretarit të Shtetit Colin Powell në Tiranë, më 2 maj 2003, ka qenë, pa dyshim, ngjarja më e shënuar në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës gjatë katër viteve që unë shërbeva si ambasador i vendit tim në Uashington (prill 2001-maj 2005). Ajo vizitë mund të konsiderohet, gjithashtu, si një ndër tre vizitat më të rëndësishme të një politikani të lartë amerikan në Shqipëri, pas vizitës të Sekretarit të Shtetit James Baker më 22 qershor 1991 dhe vizitës së Presidentit George W. Bush më 10 qershor 2007.
Vizita e Sekretarit Baker rihapi një portë hermetikisht të mbyllur për 45 vite me radhë në marrëdhëniet mes vendit tonë dhe Amerikës, në një kohë vendimtare në historinë moderne të Shqipërisë dhe për të ardhmen e saj. Ajo vizitë dhe mesazhet që u përcolli Sekretari Baker shqiptarëve në ato fillime të vështira të tranzicionit demokratik ngjallën shpresa të mëdha te një popull, i cili sapo kishte hequr qafe zgjedhën e një diktature komuniste dhe, pa asnjë përvojë demokratike në historinë e vet kombëtare, nuk dinte se çdo të bënte me të ardhmen e vet.
Edhe pse Tiranën e kanë vizituar edhe sekretarë të tjerë të Shtetit (Madeleine Albright më 19 shkurt të vitit 2000, Hillary Clinton më 1 nëntor 2012 dhe John Kerry më 14 shkurt 2016), në gjykimin tim, vizita e Sekretarit Powell më 2 maj 2003 ka pasur një rëndësi më të madhe për zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe mes Shteteve të Bashkuara dhe vendit tonë sesa vizitat e tyre.
* * *
Colin Powell erdhi në Tiranë katër vite më parë sesa kryeqytetin shqiptar ta vizitonte Presidenti Bush. Ajo ishte një kohë kur marrëdhëniet dypalëshe mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara po zgjeroheshin e zhvilloheshin si asnjëherë më parë—dhe, ndoshta, si asnjëherë më pas deri në momentin kur i shkruaj këto radhë—jo vetëm si marrëdhënieve ndërshtetërore diplomatike e politike, por edhe në sferën ekonomike dhe atë ushtarake.
Çelja e të gjitha programeve të Bankës Amerikane të Eksport-Importit për Shqipërinë në vjeshtën e vitit 2001 kishte krijuar mundësi reale për nxitjen e investimeve të drejtpërdrejta kapitale amerikane në Shqipëri. Nënshkrimi në fund të vitit 2002 nga qeveria shqiptare i një marëveshjeje me korporatën gjigante amerikane Lockheed Martin për sistemin e monitorimit të fluturimeve të aviacionit civil mbi territorin e Shqipërisë dëshmonte se Shqipëria ishte bërë tashmë një vend i stabilizuar dhe i sigurtë për investime amerikane dhe investime të tjera të huaja.
Në vitin 2002, forcat shqiptare të Batalionit të Operacioneve Speciale ishin ndër të parat që iu bashkuan Operacionit “Enduring Freedom”. Edhe pse Shqipëria ende nuk bënte pjesë në NATO, trupat ushtarake shqiptare më elitare u bënë në atë kohë pjesë e misionit ushtarak ISAF që u krijua në dhjetor të vitit 2001 me vendim të Këshillit të Sigurisë të Kombeve të Bashkuara dhe që drejtohej nga NATO. Në prill të vitit 2003, vetëm disa javë pas ndërhyrjes ushtarake amerikane në Irak, Shqipëria ishte ndër vendet e parë që dërgoi një pjesë të trupave komando më të stërvitura të saj në mbështetje të koalicionit të udhëhequr nga SHBA, ndërkohë që parlamenti shqiptar kishte autorizuar përdorimin e hapësirës ajrore të vendit tonë për fluturimet e avionëve ushtarakë amerikanë me destinacion Irakun. Këto zhvillime përbënin një bilanc shumë të pasur në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara—në fakt bilancin më të pasur në marrëdhëniet dypalëshe mes tyre deri atëherë.
Sekretari Powell e vizitoi Tiranën pikërisht në një kohë kur qeveria shqiptare kishte dëshmuar mbështetjen e saj të plotë për administratën amerikane dhe qe angazhuar ushtarakisht në Afganistan dhe në Irak. Edhe pse një vend i vogël dhe me resurse e mundësi shumë të kufizuara, mbështetja dhe pjesëmarrja e Shqipërisë në atë koalicion të udhëhequr nga SHBA kishte një rëndësi jo të vogël—edhe pse kryesisht simbolike—për Uashingtonin, sidomos në rrethanat kur vende të mëdhenj e të fuqishëm, si Gjermania dhe Franca, anëtarë të NATO-s, jo vetëm që nuk i mbështetën Shtetet e Bashkuara në Iraq, por edhe u përpoqën energjikisht që t’i pengonin ato, duke formuar një “Triple Alliance” me Rusinë. Vetëm disa javë para sulmit amerikan në Irak, Zëvendëssekretari i Shtetit Richard Armitage më kishte thënë në një takim me të se, “ndër të gjithë aleatët tanë, Shqipëria është ngjitur në krye të radhës” (“Albania has just gone to the head of the line”.
Kjo ishte Shqipëria që do të vizitonte më 2 maj 2003 Sekretari Powell. Dikur një vend komunist dhe shumë i izoluar nga bota, që Amerikën e konsideronte armikun më të madh të saj dhe si xhandarin e botës, tashmë vendi më proamerikan dhe një aleat i ngushtë dhe shumë i besueshëm i saj.
Një ndër pararëndësit e Sekretarit Powell, James Baker, e kishte çelur portën e mbyllur të këtij vendi 12 vite më parë dhe ishte pritur nga qytetarët e Tiranës si shpëtimtari i tyre, thuajse njëlloj siç ishte pritur Presidenti Woodrow Wilson në Paris, në Londër dhe në Romë rreth 70 vite më parë.
Por, në dallim nga vizita shumë e rëndësishme e Sekretarit Baker në vitin 1991, e cila mund të konsiderohej si një lloj “diplomacie misionare” (Missionary Diplomacy), vizita e Sekretarit Powell, një ngjarje gjithashtu shumë e rëndësishme, mund të konsiderohet një veprim diplomatik realpolitik. Ajo vizitë u motivua kryesisht nga konsiderata rrethanore, gjeostrategjike dhe pragmatike sesa nga nocione qartësisht ideologjikë, ose nga premisa etike, edhe pse vetë Colin Powell ishte—dhe mbeti deri në fund të karrierës së tij aktive në politikë—një personalitetet që shquhej për standarde të lartë etikë.
* * *
Sapo e mësua se Sekretari Powell do të vizitonte Tiranën më 2 maj, ndërsa do të udhëtonte po atë ditë nga Madridi për në Damask, Paige Reffe (këshilltari diplomatik i Shqipërisë në Uadhington) dhe unë nisëm të mendojmë për programin e vizitës së tij. Vizita e Sekretarit Powell i ndryshoi krejt papritur të gjitha planet që kishim bërë deri atëherë për nënshkrimin e Kartës së Adriatikut në Uashington dhe krijoi mundësi të reja për të tri vendet tanë—Shqipërinë, Kroacinë dhe Maqedoninë—por, veçanërisht për qeverinë shqiptare.
Koha ishte shumë e shkurtër dhe duhej vepruar pa vonesë. Atë ditë dhe të nesërmen fola disa herë në telefon me Kryeministrin Fatos Nano dhe me ministrin e Jashtëm Ilir Meta. Fola edhe me ambasadorin amerikan në Tiranë James Jeffrey. Ndjenja e përgjegjësisë dhe e urgjencës për vizitën e Sekretarit të Shtetit ndihej në çdo komunikim timin me ta. Paige, i cili ishte një mjeshtër për organizimin e vizitave të niveleve më të lartë në çdo skaj të globit (ai kishte organizuar mbi 30 vizita të Presidentit Clinton në vende të ndryshëm të botës dhe të mbi 400 udhëtimeve të tij brenda Amerikës), dukej i qetë dhe këtë qetësi u përpoq t’ua përcjellë edhe kryeministrit dhe ministrit të jashtëm në Tiranë, me të cilët foli edhe ai disa herë ato dy ditë, siç foli drejtpërsëdrejti edhe me ambasadorin Jeffrey.
Nano dhe Meta kërkuan që unë dhe Paige të vinim në Tiranë sa më parë. Udhëtuam me Austrian airlines dhe në Tiranë mbrritëm tri ditë para vizitës së Sekretarit Powell. Kolegët e mi Ivan Grdesic dhe Nikola Dimitrov, ambasadorët e Kroacisë dhe të Maqedonisë në Uashington, gjithashtu u nisën për në kryeqytetet e tyre. Ata do të vinin në Tiranë për të shoqëruar ministrat e tyre të Jashtëm dhe për të marë pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të Kartës së Adriatikut. Ne ishim bashkë kudo dhe kjo pëlqehej në Uashington. “Tre musketierë”, siç na kish quajtur Zëvendësekratari i Shtetit Armitage.
* * *
Vizita e Sekretarit Powell ishte një ngjarje shumë e rëndësishme për Shqipërinë, por realiteti i gjërave në Tiranë ishte i vështirë dhe kjo i vështirësoi edhe përgatitjet për atë vizitë. Ilir Meta, si ministër i Jashtëm, ishte njëherësh edhe zëvendëskryeministër dhe Fatos Nano, si kreu i qeverisë, e kishte thuajse të pamundur të vepronte siç dëshironte, pa marë më parë pëlqimin e zëvendësit të tij, nëse donte që ta mbante në këmbë kabinetin qeveritar. Edhe pse animositeti mes Nanos dhe Metës nuk ishte sekret për askënd, madje as për ambasadën amerikane në Tiranë dhe, rrjedhimisht, as për drejtuesit e Departamentit të Shtetit, deri në prag të asaj vizite si njëri dhe tjetri kishin mundur t’i “përmbanin gjakrat”.
Siç është bërë e qartë më vonë, Ilir Meta ka mundur të gjejë një “gjuhë të përbashkët” me të gjithë kundërshtarët e tij—brenda dhe jashtë Partisë Socialiste—edhe me Fatos Nanon, edhe me Sali Berishën, edhe me Edi Ramën. Por vetëm për pak kohë. Vetëm për aq kohë sa interesat e tij ishin të mbrojtura. Kur këto interesa cënoheshin dhe pozita e tij në pushtet dobësohej, ose rrezikonte të dobësohej, Meta hidhej në krahun tjetër në një mënyrë shumë agresive. Ky pragmatizëm dhe kjo strategji e mbajtën atë në pushtet për pjesën më të madhe të kohës gjatë 25 viteve të fundit. Ai u bë i vetmi politikan shqiptar i periudhës së tranzicionit që ka ngjitur çdo shkallë të hierarkisë së pushtetit—fillimisht Sekretar Shteti për Integrimin Europian (1998), më vonë zëvendëskryeministër dhe ministër për Koordimin Qeveritar (1998-1999), pastaj dy herë kryeministër (1999-2002), dy herë zëvendëskryeministër dhe ministër i Jashtëm (2002-2003 dhe 2009-2010), zëvendëskryeministër dhe ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjisë (2010-2011), për t’u bërë më vonë, në vitet 2013-2017, kryetar i Parlamentit të Shqipërisë dhe, në vitin 2017, President i Republikës.
Në këtë rrugëtim makiavelik drejt pozicionit më të lartë në krye të shtetit, Meta bashkëjetoi me të gjithë. Ai pranoi të ishte zëvendëskryeministër i Kryeministrit Pandeli Majko, zëvendëskryeministër i Kryeministrit Fatos Nano, zëvendëskryeministër i Kryeministrit Sali Berisha, kryetar i parlamentit i zgjedhur nga shumica socialiste e Kryeministrit Edi Rama dhe President i vendit i zgjedhur po nga ajo shumicë socialiste e Kryeministrit Rama. Ky modus operandi i Ilir Metës u bë i vetmi modus vivendi i tij, derisa, pas një çerek shekulli, edhe pse ende në krye të shtetit, gjithçka rreth tij u përmbys—dhe u përmbys kundër tij.
Sidoqoftë, në pranverën e vitit 2003, në dukje çdo gjë shkonte mirë. Qeveria funksiononte; parlamenti mblidhej rregullisht dhe votonte ligje të rinj; marrëdhëniet me Presidentin e vendit Alfred Moisiu dukeshin normale. Ishte vizita e Sekretarit Powell në Tiranë ajo që krijoi probleme serioze në marrëdhëniet mes Kryeministrit Nano dhe ministrit të Jashtëm Meta, i cili, si zëvendëskyeministër, kishte edhe një zyrë në ndërtesën e kryeministrisë. Unë dhe Paige e ndiem tensionin mes tyre qysh në takimet e para me ta.
* * *
Për shkak se Meta, si minister i Jashtëm, ishte eprori im i drejtpërdrejtë dhe ishte pikërisht ai, në cilësinë e ministrit të Jashtëm, që kishte lidhur marrëveshjen për shërbime konsulente me firmën e Paige Reefe, Paige dhe unë takuam të parin atë, po atë ditë që mbrritëm në Tiranë. Meta na priti në zyrën e tij, në Ministrinë e Punëve të Jashtme, i shoqëruar nga Edmond Haxhinasto, shefi i kabinetit të tij dhe ndër vite një ndër njerëzit më të besuar të tij. Edhe pse dy ditë më vonë ministri i Jashtëm Meta dhe Sekretari Powell, së bashku me ministrat Tonino Picula dhe Ilinka Mitreva do të nënshkruanin Kartën e Adriatikut, një ngjarje kjo shumë e rëndësishme për Shqipërinë dhe për vetë ministrin e Jashtëm të saj, në fjalët e Ilir Metës dhe në vështrimin e tij ndihej tension. Ai, sigurisht, tregoi tërë kortezinë e duhur ndaj mysafirit nga Uashingtoni, edhe pse prej kohësh e brrente dyshimi se Paige, ashtu si dhe Bruce Jackson, punonin për Fatos Nanon dhe jo për të.
Kjo ishte deri diku e vërtetë dhe unë mendoj se shpjegohej me dy arsye kryesore: Së pari, Nano ishte kryeministri i vendit dhe Meta, pavarësisht raporteve delikate mes tyre dhe rolit të tij balancues në kabinetin qeveritar, nuk mund të ishte një kryeministër surrogat. Së dyti, për të huajt, Fatos Nano ishte përgjithësisht një tip më i pëlqyeshëm; ai ishte shumë më i lexuar e më i ditur, më qytetar, më i komunikueshëm, më i këndshëm dhe hokatar. Komunikimi me të ishte më i lehtë, i pasforcuar dhe anglishtja e tij shumë herë më e mirë e më pasur sesa ajo e Ilir Metës.
Me ministrin Meta atë pasdite diskutuam në vija të përgjithshme mbi disa detaje të vizitës së Sekretarit Powell në Tiranë. Detajet e asaj vizite nuk diheshin ende të gjitha. Do të prisnim të takoheshim edhe me Kryeministrin Nano dhe do të diskutonim gjerësisht me ambasadorin Jeffrey para se të kishim një program përfundimtar. Ajo vizitë e rëndësishme e Sekretarit të Shtetit impononte vëmendjen, angazhimin dhe përgjegjësinë jo vetëm të qeverisë shqiptare, por edhe të ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë. Si qeveria shqiptare, ashtu dhe ambasada amerikane ishin në rolin e “mikpritësit”, madje, në një kuptim real të fjalës, ambasadori Jeffrey gjithashtu mund të konsiderohej si “i zoti i shtëpisë”.
E vetmja gjë që dihej me siguri për atë vizitë ishte se Sekretari Powell do të qëndronte në Tiranë vetëm tri orë. Gjithçka që do të ndodhte brenda atyre tri orëve, rendi i gjërave dhe personat që do të ishin të pranishëm në takimet dhe në ceremoninë e nënshkrimit të Kartës së Adriatikut ishin ende në diskutim.
Pas takimit me Ilir Metën, Paige dhe unë u takuam në Rogner me ambasadorin Jeffrey, me të cilin zhvilluam një bisedë të gjatë, shumë miqësore dhe shumë të dobishme. Jim Jeffrey dhe Paige Reffe njiheshin mirë mes tyre qysh nga koha kur Jim shërbente në Ankara dhe Paige në Shtëpinë e Bardhë. Me Nanon do të takoheshim në mbrëmje dhe do të hanim darkë me të.
Qysh në minutat e para të bisedës me të, ambasadori Jeffrey na njohu me konfliktin që ishte krijuar ato ditë në marrëdhëniet mes Fatos Nanos dhe Ilir Metës. Konflikti mes tyre kishte të bënte me programin e vizitës së Sekretarit Powell. Meta ishte shprehur dakord me gjithçka që kryeministri Nano dhe ambasadori Jeffrey kishin diskutuar mes tyre lidhur me atë vizitë, por ngulte këmbë që, për shkak se Powell vinte në Tiranë për të nëshkruar Kartën e Adriatikut me tre ministra të jashtëm—dhe në Tiranë Meta ishte homologu i tij—ai duhej të takohej me Sekretarin Powell veçmas takimit që ky i fundit do të bënte me Kryeministrin Nano. Këtë pretendim të ministrit Meta dukej se e përkrahte edhe Elizabeth Shelton, No. 2 i ambasadës amerikane në Tiranë.
Shelton, e cila më parë kishte shërbyer në përfaqësitë diplomatike amerikane në Malajzi, në Nigeri, në Turqi dhe në Azerbajxhan, në atë kohë ishte zëvendësambasadore (Deputy Chief of Mission) në ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Tiranë. Ajo e kishte mbajtur atë post edhe kur në krye të asaj ambasade kishte qenë i ndjeri Joseph Limprecht. Vdekja e papritur e ambasadorit Limprecht në maj të vitit 2002 e la drejtimin e ambasadës amerikane në Tiranë për pesë muaj me radhë në duart e znj. Shelton, deri në mbrritjen e ambasadorit Jeffrey në tetor të atij viti. Për shumë vëzhgues të politikës në Tiranë, ishte i dukshëm fakti që, në vitet 2000-2001, ambasadori Limprecht dhe, veçanërisht, zëvendësja e tij, Elizabeth Shelton, kishin krijuar një marrëdhënie shumë të afërt me Kryeministrin Meta, marrëdhënie të cilën Shelton e ruajti edhe pasi Meta dha dorëheqjen si kryeministër në fillim të vitit 2002.
Ambasadori Jeffrey na tha atë mbrëmje se zëvendësja e tij e mbështeste hapur idenë e një takimi të veçantë mes Sekretarit Powell dhe ministrit të Jashtëm Meta, pa dyshim e ndikuar shumë nga ky i fundit, edhe pse vetë Jeffrey e kishte kundërshtuar vendosmërisht atë. Ministri Meta, u shpreh ai, duket se po bën “lojë të dyfishtë e të pandershme”, duke u përpjekur t’u kundërvejë qëndrimeve të mia qëndrimin e znj. Shelton.
Koha e qëndrimit të Sekretarit Powell në Tiranë ishte njëra arsye. Në vetëm tri orë, Sekretari Powell do të duhej të takohej me Presidentin Moisiu; pas kësaj do të takohej me kreun e qeverisë Fatos Nano dhe do të nënshkruante me të marrëveshjen dy palëshe mbi Paragrafin 98 të Traktatit të Romës. Koha që mbetej do të ishte në funksion të ceremonisë së nënshkrimit të Kartës së Adriatikut në një prej sallave të Pallatit të Kongreseve. Ishte tërësisht e pamundur që, në harkun e atyre tri orëve, të gjendeshin qoftë edhe 15 minuta kohë që Sekretari Powell të bënte një takim kortezie me ministrin Meta në Ministrinë e Punëve të Jashtme.
Ndaj këtij objeksioni të ambasadorit Jeffrey, znj. Shelton kishte sugjeruar që takimi i Sekretarit Powell me z. Meta të bëhej në zyrën e këtij të fundit në selinë e kryeministrisë, para takimit me Kryeministrin Nano, pasi, si zëvendëskryeministër, Meta kishte edhe një zyrë në atë ndërtesë. Jeffrey e kishte kundërshtuar sërish, duke i thënë zëvendëses së tij se qeveria shqiptare kishte vetëm një kokë, një kryeministër, dhe në selinë qëndrore të qeverisë shqiptare, Sekretari Powell do të takohej vetëm me kreun e qeverisë dhe me askënd tjetër.
Paige Reffe i dha plotësisht të drejtë ambasadorit Jeffrey dhe, aty për aty, me instinktin e tij të mprehtë, por kryesisht për shkak të përvojës së tij të gjatë në situata të vështira, i gjeti një zgjidhje ideale “ngërçit” të krijuar në marrëdhëniet mes Nanos dhe Metës. Ai kërkoi mendimin tim se si do ta priste Meta propozimin e tij për këtë çështje. Propozimi i tij ishte ky:
Në takimin me Presidentin Moisiu Sekretarin Powell do e shoqëronin veç meje dhe ambasadorit Jeffrey, edhe Ilir Meta, në cilësinë e ministrit të Jashtëm. Pas asaj vizite, e cila do të zgjaste 30 minuta, distancën e shkurtër nga presidenca deri në kryeministri Sekretarit Powell do i sugjerohej ta bënte me këmbë, i shoqëruar nga Ilir Meta. Paige ishte i sigurt, siç ishim të sigurt unë e Jeffrey se, duke ecur në këmbë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, Sekretarin Powell do ta përshëndesnin një numër i madh njerëzish, kalimtarë rastësorë dhe ky, në vetvete, do të ishte një episod i përsosur në përpjekjet për një pasqyrim sa më të mirë të asaj vizite nga pikëpamja e marrëdhënieve me publikun, pasi do të dëshmonte sentimentet e forta proamerikane të popullit shqiptar.
Ajo shëtitje në bulevard përkrah Sekretarit Powell do të pëlqehej edhe nga vetë Ilir Meta pasi, në këtë mënyrë, ai jo vetëm do të ishte për një kohë të konsiderueshme në krah të Sekretarit të Shtetit, “homologut” të tij, por edhe do të vihej re nga publiku i gjerë. Për Metën, madje, ato 10 minuta shëtitje me Sekretarin Colin në bulevard, në sytë e qindra qytetarëve dhe të dhjetra mijë të tjerë në kronikat e lajmeve atë ditë dhe për një kohë të gjatë më vonë, ishin më të pëlqyera se sa një takim 10-15 minuta me dyer të mbyllura në zyrën e tij. Pas asaj shëtitjeje, me të cilën Meta edhe kënaqej, por edhe “nxirrej jashtë loje”, Sekretari Powell do të ngjiste shkallët e kryeministrisë për t’u takuar me kreun e qeverisë.
Jeffrey e përgëzoi për këtë sugjerim brilant. Edhe unë.
“Will it work?” (A do të funksionojë?), më pyeti Paige. “Ti e njeh Metën më mire sesa ne”.
“Nuk ka zgjidhje më të mirë”, i thashë. “Të gjitha palët mbeten të kënaqura”.
Meraku kryesor i ambasadorit Jeffrey ishte koha e kufizuar për çdo takim. Duke i njohur zakonet e shqiptarëve dhe dëshirën e tyre për “muhabet”, i vetmi shqetësim që ai shrehu atë mbrëmje ishte respektimi me përpikmëri i kohëzgjatjes së çdo takimi. Edhe pse ai vetë, ashtu si unë, do të ishim të pranishëm në të gjitha takimet dhe veprimtaritë dhe do të kishim “kontroll” mbi kohën, Paige e siguroi se, duke qëndruar në prapaskenë të çdo takimi, ai vetë do të kujdesej që asgjë të mos zgjaste përtej kohës së caktuar.
Atë mbrëmje Kryeminsitri Nano na priti për darkë në rezidencën e tij. Në tryezë ishim vetëm ne të katërt: kryeministri, ambasadori Jeffrey, Paige dhe unë. Diskutuam me të detajet e vizitës dhe sugjerimin e fundit të Paige, të cilin Nano e pëlqeu. Siç kishim parashikuar, të nesërmen, atë sugjerim e pëlqeu edhe Ilir Meta. Mosmarrëveshja qe zgjidhur në mënyrën më të mirë të mundshme.
“Paige”, i tha Nano mysafirit nga Uashingtoni, “të falenderoj për ndihmën që na jep. Unë e dija se punët do të venin mbarë”. Pastaj e pyeti:
“Si është Bruce? Mendoja se do të vinte edhe ai. Bëji të fala kur të kthehesh”.
Gjatë darkës Uu diskutua mbi detajet e pritjes së Sekretarit Powell në aeroportin e Rinasit dy ditë më vonë, mbi takimin që do të kishte Kryeministri Nano me Sekretarin Powell, mbi protokollin e nënshkrimit prej tyre të Marrëveshjes dypalëshe mbi Pragrafin 98 të Traktatit të Romës, si dhe për detaje të tjerë të programit të vizitës së tij, që tashmë dukej se ishte i plotë.
Si edhe në çdo rast tjetër kur më ka qëlluar të jem i ftuar për darkë nga Fatos Nano në Tiranë, ose ta kem pasur atë mysafir për darkë në Hagë ose në Uashington, atmosfera e asaj mbrëmjeje ishte e këndshme dhe mjaft miqësore. Mua më duhej t’i drejtohesha Nanos me fjalët “zoti kryeministër”, por Jim Jefrey dhe Paige Reffe i drejtoheshin thjesht në emër: Fatos, sikurse unë dhe ambasadori Jeffrey, qysh nga takimi ynë i parë në Uashington, kishim rënë dakord t’i drejtoheshim njëri-tjetrit në emër: Jim dhe Fatos.
Kjo mënyrë informale në komunikimet me homologun tim amerikan në Tiranë më pëlqente. Ajo më kujtonte kohën e studimeve të mia doktorale në UNC (Chapel Hill), kur profesorëve tanë, edhe atyre që ishin më të moshuarit dhe më të shquarit, u drejtoheshim në emër—Peter (Blau), Judith (Blau), Glen (Elder), Tony (Anthony Oberschall), Craig (Calhoun), Arne (Kalleberg), Howard (Aldrich), Ken (Kenneth Bollen) etj. Ishte një normë kulturore me të cilën unë isha mësuar tashmë dhe më pëlqente, sepse më krijonte një ndiesi pozitive në marrëdhëniet me njerëzit—i bënte këta njerëz më të afërt dhe marrëdhëniet me ta më të drejtpërdrejta e më të sinqerta.
Në kontrast me këtë normë kulturore tipike amerikane, të cilën e kisha ndeshur edhe në Hollandë, në Shqipëri më është dukur e më duket gjithnjë e neveritshme kur njerëzit u drejtohen eprorëve të tyre me fjalët “bos”, ose “shef”, dhe kur studentët, edhe ata doktorantë, u drejtohen pedagogëve të tyre, edhe atyre më të rinjve në moshë, me fjalët e shëmtuara “Profe”, ose “Profi”, edhe nëse këta nuk e kanë titullin “profesor”. Nga një pikëpamje sociologjike, këto dy kultura të ndryshme mendoj se shprehin—dhe shpjegohen me—dallimet në shkallën e lirisë e të demokracisë në marrëdhëniet mes njerëzve në dy shoqëri të ndryshme, prej të cilave njëra është një shoqëri e hapur, e lirë, libertine dhe vërtet demokratike (pra edhe meritokratike), ndërsa tjetra vazhdon të jetë një shoqëri vetëm në dukje e hapur, vetëm pjesërisht e lirë dhe ende jo vërtet demokratike.
/a.r