Nga Namir Lapardhaja*
Emëruesi i përbashkët që i bashkon të gjithë ata që janë rreshtuar sot në krah të “Foltores” është se vetëm Sali Berisha mund ta rrëzojë Lulzim Bashën.
Ndonëse pritet me entuziazëm nga një pjesë e demokratëve, Doktori nuk po u thotë atyre të vërtetën.
“Foltorja” mund t’i shërbejë disi fatit personal të tij, por jo së ardhmes së Partisë Demokratike dhe asaj që qytetarët duan: ringritjes, fuqizimit dhe shndërrimit në një alternativë të fortë konkurruese.
Edhe pse mes shpresës dhe së vërtetës, natyra njerëzore është e prirur nga e para, me rëndësi është që demokratët të priren nga arsyeja dhe jo ndjenja, të udhëhiqen nga përgjegjshmëria dhe jo miopia, të shohin interesin e përgjithshëm dhe jo të rendin pas fateve personale.
Personalisht nuk më shqetëson fati i Lulzim Bashës, madje ai po korr atë që ka mbjellë në gjithë këto vite në krye të PD-së.
Ashtu siç nuk më shqetëson fati personal i Sali Berishës, i ish-zyrtarëve apo ish-ministrave të tij, që e shoqërojnë ngado, të cilët i mori nga hiçi, një pjesë të tyre i bëri njerëz në kuptimin e drejtpërdrejtë të fjalës, me makina luksi, jetë mondane dhe vila të shtrenjta.
Ata që më interesojnë janë demokratët e thjeshtë, të cilët janë zhgënjyer vazhdimisht gjatë viteve që PD-ja ka qenë në pushtet, janë zvarritur me shpresë gjatë 8 viteve dhe po vijojnë të manipulohen në këtë fillim mandati të tretë në opozitë nga “Foltorja”.
Po u thuhet se Lulzim Basha do shkarkuar se ka shkelur Statutin, mirëpo nuk po u tregohet se kur është zbatuar ndonjëherë Statuti nga udhëheqësi i “Foltores”.
Po u mblidhen firmat për Kuvendin Kombëtar, por nuk po u tregohet mekanizmi real statusor që bën të mundur thirrjen e tij.
Po propozohen në ajër ndryshime statusore, mirëpo nuk u është shpjeguar asnjëherë se pse propozimet e sotme nuk janë vënë asnjëherë në përdorim gjatë pushtetit të djeshëm.
Po u shitet “Foltorja” për një Parti Demokratike më të bashkuar, më të fortë, më të hapur, mirëpo si mund të jetë më e bashkuar një parti që një pjesë e vogël synon largimin në mënyrë mekanike të një pjese tjetër (?); si mund të jetë më e fortë një parti që në mandatin e tretë në opozitë rrezikohet seriozisht nga një skizmë tjetër (?); si mund të jetë më e hapur një parti që pranon të dëgjojë vetëm vetveten (?)
“Foltorja” sot i ngjan një revolucioni dhe, siç shprehet R. Aron tek “Opiumi i intelektualëve”, fundi i tij është rikthimi tek institucionet.
Dhe meqenëse jemi tek institucionet, nëse vërtet ka vullnet, dëshirë dhe seriozitet në ato që thuhen dhe kërkohen, le të kthehemi te statuti i Partisë Demokratike, të cilin, deri më sot, “Foltorja” nuk po ua lexon drejt dhe siç është demokratëve.
Kreu V (Organet Qendrore të Partisë), Neni 43 (Kuvendi Kombëtar i Partisë), pika 2, qartëson se vendimin për mbledhjen e Kuvendin Kombëtar (si rregull një herë në katër vjet) e merr Këshilli Kombëtar ose Kryesia e PDSHsë me propozim të kryetarit të PDSH-së
Edhe kur u jepet mundësia ¼ të anëtarëve të PDSH-së ose ¼ së anëtarëve të Kuvendit Kombëtar, më tej thuhet se: “Punimet e Kuvendit drejtohen nga një Komision i përbërë nga 5 anëtarë, i cili zgjidhet në fillim të Punimeve të tij, me propozimin e Kryetarit të Partisë”.
Ndërsa pika 3/ç e Nenit 43 është krejt e qartë kur thotë se “Kuvendi Kombëtar ka kompetencë për shkarkimin e kryetarit të Partisë mbi bazën e një mocioni mosbesimi të miratuar nga më shumë se gjysma e të gjithë anëtarëve të Këshillit Kombëtar”.
Pra, Kuvendi Kombëtar mund të mblidhet, por që të shkarkojë Lulzim Bashën duhet të ketë një mocion mosbesimi nga më shumë se gjysma e anëtarëve të Këshillit Kombëtar.
Si përfundim, “Foltorja” mund ta zgjidhë disi fatin e saj personal, duke mbledhur në rrugë revolucionare një Kuvend të cunguar dhe duke i treguar botës se ka mbështetjen e anëtarëve të partisë, mirëpo demokratët kanë nevojë për të vërtetat e plota dhe jo gjysmake.
Ata duan një parti të fortë, një alternativë të besueshme, një parti ku të funksionojë sistemi i meritës, por askush prej tyre nuk kërkon një ndarje që do të rezultonte fatale për të ardhmen e tyre dhe të gjithë Partisë Demokratike.
*Autori është anëtar i Këshillit Kombëtar të PD-së