Ambasadori i Sllovenisë, Peter Japelj ka folur nga Korça për rëndësinë e Samitit për Ballkanin Perëndimor.
Ai tha se do të ketë investime në ekonomi, ku do të investohen biliona lekë për infrastrukturën dhe për ta bërë jetesën e njerëzve më të mirë.
“Samiti ishte një sukses edhe pse ishte pak komplekse këtë vit. Deklaratat ishin të koordinuara midis 27 anëtarëve ndaj vështirësia kuptohet. Në fund fare ajo që ka rëndësi është që dolën të gjithë me një deklaratë të përbashkët. Kishte një mesazh të fortë për vendet e Ballkanit Perëndimor, ne jemi në mbështetje dhe shohim që e ardhmja e këtyre vendeve është bashkë me ne, dhe herët apo vonë do të jenë pjesë e BE. Por kishte dhe mesazhe të tjera të rëndësishme për bashkëpunimin në vijueshmëri në kohët afatshkurta dhe afatgjata. Kishte thirrje të përbashkëta për investime në ekonomi, do të jenë biliona lek për infrastrukturën e Ballkanit Perëndimor që do e bëjnë jetën e njerëzve këtu më të mirë”, tha Japelj.
Pyetjes se a mund të hapen negociatat me Shqipërinë në muajin dhjetor, Japelj tha:
“Nuk e di. Duhet të shohim. Ne e ndjejmë erën e mundësisë për të nisur me negociatat në mbledhjen e parë ndërqeveritare. Ka disa skenarë se si mund të zhvillohen, dhe më e mira është të nisim negociatat me vendet e Ballkanit Perëndimor. Ose të paktën të caktojmë një datë për implementimin e projekteve”.
Ndër të tjera, ambasadori tha se Shqipëria ka bërë gjithçka që duhet për të hapur negociatat, ndërsa shtoi se pengesa është mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, ndërsa Shqipëria nuk ka lidhje në këtë mes.
“Shqipëria ka bërë gjithçka që duhet të bënte. Ishin dy zonja të forta nga BE, që erdhën në Shqipëri kohët e fundit , Merkel dhe Vonderlighen, të cilat thanë se Shqipëria ka bërë gjithçka për të qënë pjesë e BE. Tani topi është në fushën e BE për të vendosur. Çështjet kohët e fundit në BE janë të kompleksuara, të gjithë e dimë që ka një problem midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, dhe Shqipëria ska të bëjë fare me këtë çështje”, përfundoi ambasadori.
/a.r