Nga Ben Andoni
Në ag të viteve ’90, shqiptarët besonin se me rrëzimin e Murit të Berlinit dhe me përmbysjen e regjimit ishin hapur portat e parajsës. Imazhet tashmë të liruara që emetonin televizionet e huaja jepnin një lloj mbështetje të këtij realiteti ende të paprekur. Plot 31 vjet më vonë, shqiptarët, megjithë ndryshimet e mëdha përballen me ankthin e vazhdueshëm të së ardhmes, braktisjes masive të vendit, mungesës të punës dhe ca më keq akoma: humbjes totale të shpresës. Sikur të mos mjaftojë përçarja boshe e opozitës dhe lufta e squllët Berisha-Basha; peizazhi politik kaotik i vendit me qesëndinë cinike nga Rama, Shqipërisë po i afron si të gjitha vendet një krizë, që e artikuluar nga goja e kryeministrit shqiptar mbart parametra të frikshëm: “Dukuria e rritjes marramendëse të çmimit të gazit e të karbonit në të gjitha tregjet ndërkombëtare, si edhe trendi i fortë i rritjes së çmimit të naftës, shoqëruar me një rritje të përgjithshme çmimesh të prodhimeve të konsumit të përditshëm, qëndrojnë sot para të gjitha vendeve, si siluetat e një ushtrie armike në horizontin e dimrit të vështirë që bota ka përpara”, u shpreh ai.
Ashtu si ka ndodhur rëndom pas viteve ‘90, në momente të vështira, qoftë Berisha, Nano apo Rama në vitet e fundit në vend të shpresës gjithnjë na kanë përballur me vështirësi dhe shumë vuajtje, përmes një gjuhe paniku krejt të papranueshme. Në kohën e socializmit vuajtja quhej sakrificë e nevojshme, artikuluar me patetizëm prej Enver Hoxhës përballë “botës së egër imperialisto-revizioniste” teksa arti i shërbente me gjetjen e metaforave, grafikës, pankartës dhe sloganeve “sfiduese”. Anipse vuajtja mbeti aty edhe kur nuk e meritonim me ato pasuri natyrore dhe klimë të mrekullueshme. Në vitet e demokracisë, ajo na ka ardhur realisht atëherë kur se kemi pritur nga politikanët tanë bashkë me përmbytjet, dëmet natyrore, vitin 1997 dhe pandeminë e përbotshme së fundmi, të gjitha bashkë duke na treguar se vuajtja e njerëzve është jetime dhe vetanake, ashtu si pakkush u del në krah njerëzve të thjeshtë, madje duke u treguar dhe egërsinë e shtetit drejtuar nga Berisha në 1997 apo cinizmin e Rams me pandeminë.
Dhe, ndodhi që Shqipëria përjetonte sërish tollonin, prej një regjimi gati miop dhe jashtë realitetit ndërsa para vetes i paraflisnin për mure dhe sesi “Shkëmbi i Granitit” ishte gati të sulmohej dhe sesi do të luftonim drejt fitores. Statistikat e elementëve të cilat paraqesnin vuajtjen, nëse do mateshin me instrumente shkencorë, mungojnë për të na matur vuajtjen reale edhe sakrificën e shqiptarëve të thjeshtë, që në një farë mënyre u mësuan me faktin se nuk përfundon kurrë…Cilido që është në fuqi në këtë vend tregon se vuajtja është aty!!!
“Dy mendime e lehtësojnë pak fatkeqësinë. Ose që do të marrë fund pothuaj në mënyrë të menjëhershme ose që nuk do të përfundojë kurrë. E pamundur dhe e nevojshme. Por nuk mund të mendojmë se ajo thjeshtë është aty. Kjo është e papërballueshme”, shkruante dikur Simone Weil tek “Rëndesa dhe hiri” në përsiatjet e saj gati metafizike. Me sa duket fakti se nuk mbaron asnjëherë është ngushëllimi normal në vendin tonë, që na kthen në vend sizifian.
Në mënyrë më të thukët dhe teknike e shprehte një koleg gazetar, pak ditë më parë. Po pse Shqipëria duhet të vuajë kur s’ka pasur thatësirë?-shkruante me të drejtë tek reporter.al. Dhe, referuar Entit Rregullator të Energjisë tregohej se: kuota mesatare e Fierzës ishte 291.7 metra mbi nivelin e detit, kuotë që rezultonte plot 2.2 metra më e lartë se sa mesatarja historike. Një kuotë e cila të jep të mendosh se nuk ishte krizë për një vend që mbështetjen e energjisë e mbulon nga burimet hidrike. Në një llogaritje empirike, kolegu ynë vërente se edhe pse çmimi ishte rritur jo pak, kishim importuar një sasi krejt të vogël në krahasim me bollëkun e shiut të rënë gjatë pjesës së parë të vitit 2021.
Po pse shqiptarët duhet të vuajnë dhe t’u kujtohet vuajtja kurdo e kurdoherë? A nuk ka mjaftuar vallë vuajtja përgjatë të gjithë ekzistencës së shtetit?!A nuk mjafton vallë vuajtja e përditshme e shqiptarit të zakonshëm! Me këtë rast, politika shqiptare nuk zhgënjen sepse na e ka dhënë një përgjigje në të gjithë kohërat: Mosnginja e administratës së Zogut dikur e zhveshi shqiptarin e thjeshtë dhe ia përcolli të dërrmuar varfërisë; absurdi i komunizmit e çoi varfërinë drejt të pamundshmes në fundvitet ’80; “demokracia” na përcjell në sfida dhe ende nuk ka të përcaktuar dhe minimumin e varfërisë. Po nuk mbaron këtu: politikanët e sotëm shqiptarë me një armë propagande të paimagjinueshme me paraardhësit arrijnë të manipulojnë deri edhe vuajtjen. Ajo thirret sa herë në ndihmë për të mbuluar gropat e krijuar nga keqqeverisja e pushtetit qendror dhe lokal në çdo nivel, sa herë duhet për të distancuar mendimin e zgjedhësve që pas hedhjes së votave kthehen në soditës të fatit të tyre…
Duke u kthyer te argumenti: Te i njëjti shkrim, kolegu ynë shkruante duke davaritur disi krizën se: “Edi Rama ka punësuar 12 mijë vetë më shumë pak para zgjedhjeve parlamentare, supozohet për të përfituar vota në këmbim të vendeve të punës. Ne nuk e dimë konkretisht se në çfarë pozicionesh janë punësuar këta 12 mijë vetë, por nëse marrim pagën mesatare në sektorin publik, e cila është afërisht 564 euro për të punësuar, taksapaguesve do t’i duhet të paguajnë 6.7 milionë euro në muaj ose 81 milionë euro shtesë për pagat e personave të punësuar në administratën publike qendrore, në bashkitë dhe në ndërmarrjet shtetërore pak para zgjedhjeve”, citohet Erebara.
A mundet që vuajtja që në këtë rast vjen përmes panikut, lodhjes së duhur për ndryshim dhe thirrjes për të shtrënguar rripin të ketë një cak? Me sa duket jo. Vetëm pak orë pasi Rama mbaroi fjalën, njerëzit filluan të rrallohen nëpër klube, kurse karburantet në Tiranë ia behën pa asnjë lloj justifikimi dhe rritën çmimet direkt edhe me 10 lekë pa asnjë logjikë normale.
“Të vuash duke ruajtur ndjenjën e reales është më mirë. Të vuash pa rënë në makth. Që dhimbja të jetë , në një farë kuptimi krejtësisht e jashtme, dhe në një kuptim krejtësisht e brendshme”, shkruan Simone Weil, duke na kujtuar nga diku sepse ne e jetojmë realen me dhimbjen e përditshme të mungesës së shpresës dhe problemit të ardhshëm, që na pret aty…pas dere. Tek e fundit, nuk jemi kot një popull gati sizifian. (Homo Albanicus)