Pas shtatë dekadash, linja italiane ajrore “Alitalia” ka falimentuar. Në orën 23:10 të mbrëmjes së sotme, avioni Alitalia AZ 1586 do të ngrihet për herë të fundit në Aeroportin Fiumicino në Romë me destinacion Cagliari.
Kështu kompania shënon fundin pas 74 vitesh që operon në këtë biznes. Gjatë 20 viteve të fundit, Alitalia i ka kushtuar shtetit italian rreth 13 miliardë euro. Pandemia e koronavirusit rezultoi të ishte një goditje fatale për kompaninë.
Italia Trasporto Aereo (ITA) ka marrë përsipër kompaninë, por do të punësojë vetëm 2,800 të stafit të saj. Mijëra punonjës të tjerë të Alitalia përballen me papunësi.
Alitalia, kompani që deri në 2018 ishte e 12-ta në kontinent, do të mbyllë zyrtarisht operimin pikërisht ditën e sotme, për t’i lënë vendin një kompanie absolutisht më e vogël, një startup që për momentin ka emrin ITA. Për momentin, sepse kompania po diskuton me shtetin italian mundësinë e shitjes së emrit, edhe pse palët janë ende larg, nga momenti që vlerësohet në rreth 290 milionë euro.
Ndërkohë, ai emër do të vijojë përkohësisht edhe me kompaninë e re, për arsye praktike. Vetëm heqja dhe zëvendësimi i emrit në çdo aeroport dhe material, do të shpenzoheshin rreth 80 milionë euro.
ITA, edhe me emrin e vjetër, sërish do të jetë shumë ndryshe, me një flotë të reduktuar, dhe destinacione të kufizuara jashtë Italisë.
Menaxhimi i keq dhe borxhet e trashëguara ndër dekada janë padyshim shkaqet më domethënëse, të cilëve i bashkohet gjithsesi edhe një aspekt teknik, që lidhet me ndryshimin e transportit në vendin fqinj.
Rritja e trenit me shpejtësi të lartë ka përgjysmuar destinacionet kryesore të Alitalia në vend, veçanërisht atë Roma – Milano që përfaqësonte një nga asetet më të rëndësishme. Tashmë për 2 orë dhe 30 minuta arrihet në destinacion me tren, pa transferimet e bezdisshme nga qendra për në periferinë e qyteteve ku ndodhen aeroportet, pa masat e sigurisë, pa limitet e kileve në bord./m.j