Gjatë replikave që ka pasur në parlament me kryetarin e PD, Lulzim Basha, kryeministri Edi Rama i ka kërkuar që të qëndrojë origjinal pasi vetëm në këtë mënyrë mund të bëhet gati për qeverisje. Ai i ka bërë thirrje që të mos shajë në Kuvend, por të bëjë debat mbi ide dhe argumente.
“Nëse do debat idesh dhe debat argumentesh, debat opinionesh, interpretimesh të ndryshme faktesh urdhëro bujrum, nëse vjen këtu dhe i jep gojës si ai tjetri mos u anko nëse të vjen foltorja në bisedë. Nëse vjen këtu dhe lëshon të shara sikur akoma nuk e di nëse je në gjumë apo realitet edhe ke një jerm erotik që e shfryn këtu atëherë nuk ta kemi ne faj. Dil këtu sillu mirë, thuaji të gjitha çfarë ke për të thënë, por mos hy në garë kush më shan më shumë mua. Unë e shoh që kjo garë ka filluar mes teje dhe ustait. Mos i hyj kësaj maloreje sepse për të shara nuk e konkurron njeri ustain tënd. Është sharësi dhe shpifësi më i madh që ka jetuar ndonjëherë në tokën shqiptare. Kështu që je shumë majolik për të bërë atë lloj vendi të jashtëderdhjes. Mbaju majolik, bëj debat dhe thuaj ça të duash. Mos hyj në këto histori jo klinika, jo diagnoza, prindërit jo këto se je dobët shumë para tij. Ai është origjinali, ti je kopja. Kur të kalosh nga kopja te origjinali, nëse ti ke ndonjë origjinal brenda se nuk ta kemi kuptuar, atëherë kushedi dro mund të bëhesh gati për bashkëqeverisje”, tha Rama.
/a.r