Një aksion i Policisë së Kosovës që u realizua dje në katër rajone të vendit, përfundoi me arrestimin e tetë personave dhe sekuestrimin e një sasie të madhe të mallrave të kontrabanduara. Por, jo të gjithë të dyshuarit për kontrabandë janë arrestuar. Policia ka shpallur në kërkim dhjetë persona dhe ka lutur qytetarët që i shohin, që t’i lajmërojnë menjëherë, raporton Express.
Dhjetë persona të cilët dyshohet se janë të përfshirë në aktivitetet kriminale të kontrabandës me mallra, janë shpallur në kërkim nga Policia e Kosovës. Shpallja e tyre në kërkim vjen pas aksionit që u zhvillua në katër rajone të vendit, përfshirë edhe veriun. Aty hasi edhe në probleme. Situata u tensionua shpejt.
Personat të cilët janë shpallur në kërkim janë:
1. Besim Zeqiri i lindur me 01.07.1985, fshati Kaqandolle-Mitrovicë
2. Halil Sylejmani i lindur me 03.08.1965, Kqiq – Mitrovicë
3. Festim Sylejmani i lindur me 14.02.1992, Kqiq – Mitrovicë
4. Fitim Latifi i lindur me 05.04.1992, Kushtovë – Mitrovicë
5. Milan Radisavljevic i lindur me 10.12.1972 – Zubin Potok
6. Ilija (Vitomir) Vicentijevic dl.07.03.1969 në Mitrovicë e Veriut.
7. Vehbi (Kadri)Hyseni dl.08.03.1978, lagjja Shipol Mitrovicë.
8. Muhamet (Kadri) Hyseni dl. 25.02.1981, lagjja Shipol Mitrovicë.
9. Muhamet (Sefedin) Vallqi dl.18.02.1994, lagjja Vaganicë Mitrovicë.
10. Agron (Zenel) Novaj dl. 20.05.1982, në Pejë.
“Policia e Kosovës, fton të gjithë qytetarët që të mos bien pre e asnjë provokimi të mundshëm dhe njëkohësisht kërkon bashkëpunim në ofrimin e informacioneve me qëllim arrestimin e personave të dyshuar dhe sjelljes së tyre pranë organeve të drejtësisë.
Numrat kontaktues: 192, 038 550 999 ose pa pagesë në 0800 19999, të gjitha informacionet do të trajtohen në mënyrë konfidenciale”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Si pasojë e rezistimit të serbëve, duke gjuajtur me gjësende e duke sulmuar me grushte policët, disa pjesëtarë të policisë kanë pësuar lëndime trupore dhe janë dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin e Mitrovicës.
Policia njoftoi për gjashtë zyrtarë policorë të lënduar, prej tyre pesë zyrtarë të nacionalitetit shqiptar dhe një i nacionalitetit serb. Gjithashtu, një nga personat e përfshirë në sulm ndaj zyrtarëve policorë, është lënduar.
Gjatë këtij aksioni janë sulmuar edhe gazetarët dhe kameramanët që kanë shkuar për të raportuar për zhvillimet atje. Në drejtim të tyre janë hedhur tri bomba dore.
Se janë përdorur mjete të tilla ka njoftuar edhe Policia e Kosovës, përmes një njoftimi drejtuar mediave.
Sipas Policisë, qytetarët atje janë grumbulluar, kanë krijuar bllokime të rrugëve me mjete të ndryshme transportuese, kanë përdorur bombola gazi, shok bomba, të shtëna me armë zjarri e granata dore.
Pas tensioneve, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, apeloi për qetësi, teksa edhe njoftoi për përfundimin e aksionit.
“Herët në mëngjesin e sotëm, Policia e Kosovës, me qëllim të luftimit të kontrabandës ka filluar operacione bastisjeje në disa lokacione të ndryshme në Prishtinë, Pejë e Mitrovicë (si në jug ashtu edhe në veri). Këto veprime policore janë paraprirë nga hetimet intensaive dhe janë me urdhër e të bashkërenduara me prokuroritë dhe gjykatat kompetente. Janë sekuestruar mallra e dëshmi të tjera që paraqesin edhe prova materiale. Krimi dhe grupet kriminale nuk do të tolerohen dhe do të luftohen. Kontrabandën do ta luftojmë e do ta parandalojmë. Aksioni i sotëm policor ka përfunduar. U bëj thirrje qytetarëve në komunën veriore të Mitrovicës që të mos bien pre e disa medieve në Serbi që e mbrojnë krimin, korrupsionin dhe kontrabandën dhe duan ta politizojnë dhe etnizojnë atë”, u shpreh Kurti ndër të tjera.
Më pas, policia njoftoi se situata në pjesën veriore të Mitrovicës është qetësuar./Gazeta Express
g.kosovari