Qeveria do të fusë me procedurë të përshpejtuar për miratim në Kuvend projektligjin që i hap rrugë daljes në tregjet ndërkombëtare për marrjen e një borxhi nga 500 deri në 700 milionë euro.
“Propozimin e projektligjit “Për eurobondin, që do të emetohet nga ministri i Financave dhe Ekonomisë, miratimin e përjashtimeve nga tatimet e taksat dhe të parashikimeve për heqjen dorë nga imuniteti, në marrëveshjet që do të lidhen nga ministri i Financave dhe Ekonomisë”, për shqyrtim e miratim, me procedurë të përshpejtuar, në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas dokumenteve shoqëruese dhe relacionit, që i bashkëlidhen këtij vendimi”, thuhet në projektligjin e miratuar nga Qeveria këtë të mërkurë.
Në projektligjin e dytë të propozuar po për këtë qëllim e që i shërben të parit, parashikohet në nenin një heqja dorë nga imuniteti shtetëor.
“Në marrëveshjet që do të lidhen nga ministri i Financave dhe Ekonomisë, për emetimin e instrumentit “Eurobond”, në përputhje me ligjin nr.9665, datë 18.12.2006, “Për huamarrjen shtetërore, borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore të huas në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe thelbësisht sipas kushteve të përcaktuara në tekstin e tyre që i bashkëlidhen këtij ligji, lejohen parashikimet për heqjen dorë nga imuniteti”, thotë vendimi.
Neni dy përjashton nga të gjitha llojet e taksave të gjithë të gjithë huadhënësit përmes Eurobondit.
“Mbajtësit e titujve të eurobondit dhe menaxherët bashkëdrejtues, sipas përcaktimeve në marrëveshjet bashkëlidhur, përjashtohen nga tatimi mbi të ardhurat, nga tatimi mbi vlerën e shtuar dhe çdo tatim apo taksë tjetër në Republikën e Shqipërisë për të gjitha transaksionet dhe veprimtaritë që lidhen me emetimin, mbajtjen, ruajtjen e tregtimin e eurobondeve”, thuhet aty.
Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 13 Tetor 2021:
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR EUROBONDIN, QË DO TË EMETOHET NGA MINISTRI I FINANCAVE DHE EKONOMISË, MIRATIMIN E PËRJASHTIMEVE NGA TATIMET E TAKSAT DHE TË PARASHIKIMEVE PËR HEQJEN DORË NGA IMUNITETI, NË MARRËVESHJET QË DO TË LIDHEN NGA MINISTRI I FINANCAVE DHE EKONOMISË”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, 83, pika 2, e 100, të Kushtetutës, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër Shteti për Rindërtimin dhe Programin e Reformave dhe ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për eurobondin, që do të emetohet nga ministri i Financave dhe Ekonomisë, miratimin e përjashtimeve nga tatimet e taksat dhe të parashikimeve për heqjen dorë nga imuniteti, në marrëveshjet që do të lidhen nga ministri i Financave dhe Ekonomisë”, për shqyrtim e miratim, me procedurë të përshpejtuar, në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas dokumenteve shoqëruese dhe relacionit, që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
ARBEN AHMETAJ
###
P R O J E K T L I GJ
PËR
EUROBONDIN, QË DO TË EMETOHET NGA MINISTRI I FINANCAVE DHE EKONOMISË, MIRATIMIN E PËRJASHTIMEVE NGA TATIMET E TAKSAT DHE TË PARASHIKIMEVE PËR HEQJEN DORË NGA IMUNITETI, NË MARRËVESHJET QË DO TË LIDHEN NGA MINISTRI I FINANCAVE DHE EKONOMISË
Në mbështetje të neneve 78, 83, pikat 1 e 2, dhe 84, pika 4, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Neni 1
Në marrëveshjet që do të lidhen nga ministri i Financave dhe Ekonomisë, për emetimin e instrumentit “Eurobond”, në përputhje me ligjin nr.9665, datë 18.12.2006, “Për huamarrjen shtetërore, borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore të huas në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe thelbësisht sipas kushteve të përcaktuara në tekstin e tyre që i bashkëlidhen këtij ligji, lejohen parashikimet për heqjen dorë nga imuniteti.
Neni 2
Mbajtësit e titujve të eurobondit dhe menaxherët bashkëdrejtues, sipas përcaktimeve në marrëveshjet bashkëlidhur, përjashtohen nga tatimi mbi të ardhurat, nga tatimi mbi vlerën e shtuar dhe çdo tatim apo taksë tjetër në Republikën e Shqipërisë për të gjitha transaksionet dhe veprimtaritë që lidhen me emetimin, mbajtjen, ruajtjen e tregtimin e eurobondeve.
Neni 3
Ky ligj hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
LINDITA NIKOLLA