Një dron ka kaluar pranë personave të cilët shoqëronin presidentin amerikan, Barack Obama në Hawai, duke detyruar shërbimin e mbrojtjes së presidentit të ndërhynte, bëhet sot e ditur nga zyrtarë të shërbimeve sekrete.
Incidenti, i cili nuk ka rezultuar me arrestime të mundshme ose akuza konkrete, ndodhi një ditë më parë, ndërsa presidenti i SHBA-së po kthehej nga një ndeshje golfi, referuar NBC News.
“Personi nuk ishte në dijeni se shoqëruesit e presidentit do të kalonin në këtë zonë dhe ka vendosur të bashkëpunojë menjëherë me forcat e rendit për të ndaluar fluturimin e dronit”, deklaroi zëdhënësja e shërbimeve sekrete, Nicole Mainor.
Barack Obama, bashkëshortja e tij Michelle dhe vajzat, Malia dhe Sasha po kalojnë pushimet në një vilë, të cilën e kanë marrë me qera në brigjet e oqeanit në Kailua, rreth gjysmë orë larg nga kryeqyteti Honolulu./ATA