Në përfundim të mbledhjes të grupit parlamentar të PD, deputeti Flamur Noka kritikoi ashpër kryedemokratin Basha, ndërsa tha se konfirmoi fatin e karriges së tij dhe jo të partisë.
Duke komentuar debatet në mbledhjen e kryesisë së grupit, mbledhur mbrëmjen e së dielës, Noka tha se Basha mbrëmë i bëri poshtërimin e radhës anëtarësisë dhe elektoratit të PD duke e quajtur ‘llum’.
“Basha mbrëmë i bëri poshtërimin e radhës anëtarësisë dhe elektoratit të PD duke e quajtur ‘llum’, Askush nuk ka guxuar, as Nano as Rama as kundërshtarët më të egër të kësaj force politike, të konsiderojnë qeverinë e Berishës si llum, përves Bashës.
Mbrëmë i kërkova të marrë përgjegjësi, forca jonë politike po shkon në zgrip, falë vendimit okult të Bashës. Nëse do e donte sadopak këtë forcë, do jepte dorëheqjen për ta bashkuar këtë forcë, Basha mbrëmë konfirmoi se fati i karriges së tij është më i shtrenjtë se fati i PD e demokratëve. Kjo gjë nuk mendohej se do ndodhte, Basha mbrëmë konfirmoi fatin e karriges së tij.
Foltorja është zgjidhja, alternativa, foltorja e Sali Berishës është i vetmi shans për ta mbajtur PD të bashkuar e shpëtuar nga rrokullima ku po e con z.Basha. Foltorja është shpresë dhe firmat po ecin shkëlqyer, baza e PD është për një parti të bashkuar kundër përcarjes që shkaktoi Basha.”- u shpreh Noka.
Deklarata e plotë e Nokës
Jam këtu sot para jush për të dënuar leksikun e ulët të kryetarit të PD, Basha ndaj qeverisë së PD, qeverisë më të suksesshme që ka pasur ndonjëherë Shqipëria në këto 30 vjet demokraci.
Jam këtu për të dënuar edhe fyerjet, poshtërimin e radhës që Basha mbrëmë në mbledhjen e Kryesisë së Grupit Parlamentar i bëri anëtarësisë dhe elektoratit të PD duke e quajtur llum.
Askush nuk ka guxuar, as Fatos Nano as Edi Rama as kundërshtarët më të egër të kësaj force politike të konsiderojnë qeverinë e Sali Berishës si llum.
Askush, as armiqtë më të egër të forcës sonë politike që të konsiderojnë bazën e PD e cila po mbush foltoret, që kërkon që kjo forcë të rikthehet në standartet e saj dhe normat statuore, ti rikthehet betejës me Edi Ramën dhe jo të qëndrojë nën kthetrat e Ramës. Pra nuk ka guxuar askush përveçse Zoti Basha askush tjeter.
Mbrëmë në mbledhjen e Kryesisë së Grupit unë i kërkova që të marrë përgjegjësi, forca jonë politike është duke shkuar në zgrip falë vendimit okult të zotit Basha dhe në rast se ai e konsideronte dhe e donte sadopak këtë forcë, dorëheqja duhet të jetë e vetmja zgjidhje për ta bashkuar e rimëkëmbur këtë forcë.
Zoti Basha mbrëmë konfirmoi që fati i karriges së tij është më i shtrenjtë se fati i PD dhe i demokratëve.
Kjo gjë në një forcë demokrartike kurrë s’mund të mendohej dhe të imagjinohej se mund të ndodhte.
Pra mbrëmë mbi fatin e PD dhe demokratëv Basha konfirmoi fatin e karriges së tij dhe u vendos i lidhur pas asaj karrige.
Foltorja është zgjidhja, është alternativa, foltorja e Berishës është i vetmi shans për ta mbajtur këtë forcë të bashkuar e për ta shpëtuar nga rrokullima ku zoti Basha po e con PD./m.j