Deputeti i Partisë Demokratike, Tomor Alizoti ka kujtuar ditën e lindjes së gjyshit të tij, Riza Alizoti.
Përmes një postimi në rrjete sociale, ai shkruan se përpara 70 vitesh, Riza Alizoti u dënua me varje litari nga regjimi komunist.
Sipas deputetit demokrat, ekzekutimi i tij u krye në Kuçovë ndërsa eshtrat nuk u gjetën kurrë.
Postimi i Tomor Alizotit:
Në kujtim të ditës së lindjes. Para 70 vjetësh gjyshi im Riza Alizoti u dënua me varje nga regjimi komunist. Grupi i deputeteve. Ekzekutimi u krye në Kucovë. Eshtrat nuk u gjetën kurrë.
Kush është Riza Alizoti?
Riza Alizoti ishte inxhinier, i biri i Fejzi Alizotit. Ai lindi më 10 tetor të vitit 1910, në Stamboll, ku i ati kryente detyra me rëndësi në Qeverinë Turke. Pasi kreu studimet në Stamboll “Robert College”, u kthye në Tiranë për të vazhduar mësimet në Shkollën Teknike “Harry Fultz”.
Pas kësaj, me bursë të Shtetit Shqiptar, në vitin 1929 filloi studimet e larta për inxhinieri miniere në Camborne, Angli. Pas diplomimit më 1933, u specializua për shfrytëzimin e minierave në Strasburg.
Me t’u kthyer në Shqipëri, u emërua me punë në puset vajgurore të Kuçovës. Në vitin 1943 u internua prej italianëve në Porto Romano, si pjesëmarrës në demonstratën e punëtorëve të Kuçovës.
Me vendim të Këshillit të Ministrave, më 22 dhjetor 1945 u dekorua me Urdhërin e Punës, por pa kaluar as dy vjet, më 11 qershor 1947, u arrestua si sabotator. Një ditë përpara se të fillonte gjyqi, më 3 shtator 1947, Komiteti Ekzekutiv i K.P. të Nënprefekturës së Qendrës së Beratit vendosi sekuestrimin e gjithë pasurisë së tij.
Më 27 shtator të po atij viti, Gjykata e Lartë Ushtarake e deklarua fajtor si “armik i popullit dhe sabotator i pushtetit” dhe e dënoi me varje në litar, konfiskim të pasurisë së luajtshme e të paluajtshme dhe humbjen e të drejtave civile e politike.
Riza Alizoti u ekzekutua më 10 tetor 1947: u var në degët e një vidhi në sheshin e Kuçovës.